Përvjetori i Dubravës – Thirrje për drejtësi, jo vetëm përkujtim

22 maj 2025 | 18:42

Shkruan: Hanife Salihu

Sot, kur përkujtojmë përvjetorin e masakrës makabre në Burgun e Dubravës, ndjejmë dhembje të thellë për të burgosurit politikë dhe civilë shqiptarë që u vranë mizorisht nga forcat serbe. Kjo nuk është vetëm një datë përkujtimi, por një plagë që ende nuk është shëruar dhe nuk do të shërohet.
Por, shtrohet një pyetje e rëndësishme: A është e mjaftueshme që çdo vit të mblidhemi për 1-2 orë në vendin e ngjarjes, të vendosim lule dhe të shpërndahemi në heshtje? Mendoj se jo , aspak. Kjo nuk mjafton.
Vecanerisht, duke pasur parasysh që ende nuk është trajtuar nga drejtësia ky krim i tmerrshëm. Asnjë nga autorët e kësaj masakre nuk është dënuar, ndërkohë që sot kemi ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Kjo ironi e dhimbshme na detyron të reflektojmë më thellë.
Prandaj, si duhet përkujtuar kjo masakër sot, në këtë përvjetor?
Sot, duhet të bëjmë më shumë sesa një vizitë simbolike. Duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë kësaj ngjarjeje, për dy arsye të mëdha:
1. Në nderim të viktimave, që të mos harrohen kurrë dhe që dhimbja e tyre të mos mbulohet nga harresa.
2. Në kërkim të drejtësisë, që bota të mos e shohë këtë masakër si një fakt të mjegullt të së kaluarës, por si një krim i dokumentuar, që pret dënimin e merituar nga drejtesia.
Për këtë arsye, përkujtimi duhet të jetë më gjithëpërfshirës:
1. Fillimisht, një minutë heshtje në Burgun e Dubravës për të nderuar viktimat.
2. Më pas, një marshim paqësor drejt sheshit të Prishtinës, me pjesëmarrje masive të qytetarëve, të rinjve, aktivistëve dhe institucioneve.
3. Duhet të mbajmë në duar dëshmi konkrete të krimeve të bëra aty – fotografi, dëshmi të të mbijetuarve, fakte të dokumentuara.
4. Dhe mbi të gjitha, duhet të ringjallim përpjekjet për të dokumentuar çdo detaj të kësaj masakre, për ta bërë të pamohueshme para botës dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Vetëm kështu përvjetori i masakrës në Dubravë do të ketë kuptim të vërtetë: si akt përkujtimi, por edhe si thirrje për drejtësi ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria e Posaçme bëri të ditur sot se nga hetimet…