Bllokohen xhirollogaritë bankare të disa komunave, Ibrahimi: Po paralizohet funksionimi i institucioneve

15 korrik 2025 | 15:00

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Ferizajn, Lipjanin dhe komuna të tjera, që ka ndodhur të premten, më 15 korrik 2025.

Kështu ka thënë në një prononcim për “Telegrafin” drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Sipas tij, ky bllokim i radhës po e paralizon funksionimin e institucioneve komunale dhe rrezikon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, përfshirë shërbimet publike, dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Edhe pse këto bllokime siç tha ai ndërlidhen me vendime përmbarimore, ato janë rezultat i mungesës së zgjidhjes nga niveli qendror për detyrimet që nuk janë krijuar nga vetë komunat, siç është rasti i kontratave kolektive.

“Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë. Bllokimi i komunave është bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe duhet të marrë fund menjëherë”, ka thënë Ibrahimi.

AKK-ja kërkon lirimin urgjent të xhirollogarive dhe zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe financiare, që mbron funksionimin e komunave dhe respektimin e autonomisë së pushtetit lokal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besa Famgas ka mësuar të martën kundërshtarin e raundit të…