Bloja e imët e metaforave të Pal Ndrecajt

27 shkurt 2024 | 14:11

Poezitë e vëllimit të ri poetik të poetit dhe prozatorit Pal Ndrecaj më dhanë një nga kënaqësitë e veçanta e të paha­rrueshme, por edhe të rralla në poezinë tonë, sa herë që ndeshim në art të bërë me dashuri e brishtësi. Poezia e Pal Ndrecajt është mbrujtur me imazhin kryesisht mendor ose, që të jemi më të drejtë e më të saktë, me habinë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në honet e subjektit lirik (unit lirik), me trandjen shpirtërore dhe pengjet. E kjo habi kërkon mokrra të rënda metafore për thellësitë e përvojës, që të jep blojën e vet të imët, si në vargjet e këtij vëllimi.

Prirja për t’i hapur udhë subjektivitetit të skajshëm, por edhe për ta kontrolluar dhe mbajtur atë në ndjenjën arti­stike të masës, duket se ka përcaktuar, për fat, edhe pro­filin e dallueshëm poetik të Pal Ndrecajt në peizazhin e poezisë sonë bashkëkohore: poezinë e metaforizuar medi­tative. Si rregull, poezitë e këtij vëllimi ndërtohen mbi një habi (sensacion), që skulpturohet me mjete të kursyera e të sakta, që t’i shërbejnë një megametafore, e cila përfa­qëson krejt poezinë, sikundërse dhe ciklet me të cilat është arkitekturuar vëllimi.

Këto mjete të metaforës që zgjerohet vazhdimisht, Ndrecaj i ka zbutur dhe i shërbejnë me përulësi, pa nxjerrë therje e tinguj të vrazhdë: poezia ka një rrjedhë aq të natyrshme, aq të çiltër, sa intonacioni i shlirë e i natyr­shëm i poetit bëhet ngjitës dhe ti, si lexues, ndihesh i përfshirë në këtë pikëvështrim, lexon fatin tënd dhe të botës, në një kuadër filozofik përvoje – empirike qoftë ajo, apo metafizike. Forca përtëritëse dhe e freskët e meta­forizmit të poezisë së Pal Ndrecajt në krejt gamën, jo aq të gjerë tematike, vazhdimisht rreh të shohë, të zbulojë, të na sugjerojë anën tjetër, faqen tjetër të realitetit, i cili me gërshetimin e analogjive, na lë në prag të dyerve të një zbulimi… të cilin duhet ta bëjmë vetë. Ky parim ndeshet si në grupin e poezive me tematikë Krijimin (vuajtjen e krijimit, golgotën e krijimit), në të gjitha variacionet mito­logjike, simbolike e thjesht, të përditshme, ashtu dhe në ciklin e mrekullueshëm të poezive të Moglicës, të lirikës shoqërore, brendashqiptare dhe gjithëhumane. Pikërisht ana e përtejme e realitetit që ndikon në ne padukshëm, sikundërse dhe sinteza e përvojës reale të veshur rreth një strumbullari metaforik, hap perspektivën e një meta­realizmi në poezinë e Ndrecajt.

Metarealizmi është një formë e re e pakushtëzimit, e zbuluar në anën e përtejme të metaforës, e cila nuk e paraprin atë, por e përthith në kuptimin e saj figurativ. “Meta” është një pjesë e zakonshme e fjalëve të tilla si “metaforë”, “metamorfozë”, “metafizikë”. “Metarealiteti” është realiteti që shpaloset pas metaforës, në terrenin ku metafora e transferon kuptimin e saj, dhe jo në rrafshin empirik nga i cili e nxjerr atë.

Metaforizmi luan me realitetin lokal, kombëtar dhe glo­bal; metarealizmi përpiqet të kuptojë seriozisht një tjetër realitet, është realizmi i metaforës si metamorfozë, kup­timi i realitetit në gjerësinë e plotë të transferimeve dhe transformimeve të tij. Metafora është një fragment i një miti, një metarealitet (një imazh metarealist, një njësi e poezisë metareale – një përpjekje për ta rivendosur inte­gritetin, një imazh individual që synon t’i afrohet mitit, sa më shumë që të jetë e mundur brenda kufijve të poezisë moderne).

Nga pikëpamja e lexuesit, vargjet dhe strukturimi i tyre në poezinë e Pal Ndrecajt kanë një spontanitet e lirshmëri që të kujton herë-herë traditën tonë poetike klasike e mo­derne, ndonjë jehonë kumbi, sikundërse dhe një shkartisje lek­sikore, skemash ritmike nga vargu i rimuar tek ritmi i vargut të lirë, por kujdes: ky është një intonacion i një zëri që po ju flet gjithë mirëbesim e sinqeritet, për t’ju marrë nga një rast konkret, thuajse i rëndomtë, në një lartësi metaforike ku kuptimësohet shekulli i përvojave tona të brendshme.

Duke lexuar këto poezi, ndodh diçka si me njeriun që është ngjitur në kafen e një grataçiele dhe papritur hedh vështrimin poshtë, ku dallohet, fjala vjen, udha e këmbë­sorëve si rrëke thneglash, lumi i makinave si buburrecë, ura dhe lumi dhe… ti ndien një turbullirë përbrenda, një marramendje.

Gjuha e natyrshme, e pasforcuar, intonacioni mirëbesues dhe notat e humorit, ironia dhe vetironia, veçse i ndih­mojnë kësaj ndjesie të shkëputjes në fund të librit me poezi.

Agron TUFA

Zvicër, 23.12.2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Llogori në Stara Gradishkë: Të…