
Bogujevci: Kam pasur luftë me Serbinë shumë kohë para se të hyja në politikë
Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, sërish ka reaguar ndaj disa vlerësimeve në adresë të saj, duke vënë në dukje kontributin e vet dhe të familjes së saj në përballje me Serbinë, qysh para se të inkuadrohej në jetën politike.
“Kam luftuar me Serbinë prej kur kam qenë fëmijë. Shumë kohë para se të hyja në politikë unë kam pasur luftë me Serbinë. Vetëm se jemi viktima të luftës, s’do të thotë që ne nuk e kemi mendjen tonë, nuk dimë asgjë. Edhe ne kemi mendim, mundemi mos me u pajtuar me njëri-tjetrin, por dimë diçka. Fjala jonë ka peshë”, ka thënë Bogujevci paka para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo deklaratë pason debatin nga distanca të deputetes Bogujvci me gazetarin Ilir Mirena, në qendër të të cilit ishte një fotografi e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilën Mirena e ka shoqëruar me një përshkrim ironik, duke e cilësuar atë si “gjynah” dhe duke i përmendur shpenzimet e mëdha për dreka dhe darka gjatë vitit të kaluar në zyrën e tij.
“Doket kështu si gjynah, që veç përshesh han, ama veç vjet në zyrën e tij i ka rras nja 112 mijë euro dreka e darka, e kaftjalla…”, kishte shkuar Mirena në “Facebook”.