Bolton: Do të mbështesim me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje

13 gusht 12:11

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton ka thënë të hënën në Londër se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje nëse qeveria britanike vendos ta bëjë këtë.

Vizita e Bolton synon t’i japë Britanisë garanci mbi lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Ai ia ka thënë kryeministrit britanik Boris Johnson se Presidenti Donald Trump dëshiron të shohë një dalje të suksesshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor dhe se Uashingtoni do të jetë i gatshëm të punojë me shpejtësi për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Londrën.

Kryeministri Johnson dëshiron që BE-ja të rinegociojë kushtet e daljes së Britanisë përpara 31 tetorit, por BE-ja thotë se nuk do ta modifikojë pjesën e marrëveshjes që zoti Johnson thotë se duhet të ndryshohet patjetër.

Gjendja e tanishme e lë Britaninë të largohet nga Bashkimi Evropian pa ndonjë periudhë zyrtare tranzicionit ose marrëveshje ligjore që mbulon çështje të tilla si tregtia, transferimi i të dhënave dhe politika kufitare.

“Nëse ky është vendimi i qeverisë britanike, ne do ta mbështesim atë me entuziazëm, dhe këtë po përpiqem të përcjell. Ne jemi me ju, jemi me ju,” ka deklaruar Bolton para gazetarëve pas ditës së tij të parë të takimeve.

Bolton, i cili ndodhet në Londër për dy ditë bisedime me zyrtarët britanikë, po kërkon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me Kryeministrin Boris Johnson pas tensioneve të herë pas hershme me ish kryeministren Theresa May.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, ndryshimi i saj më i madh gjeopolitik që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë diplomatë presin që Londra të bëhet gjithnjë e më e varur nga Shtetet e Bashkuara.

Një mesazh kryesor që po përcjell Bolton është se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në zbutjen e daljes së Britanisë nga BE-ja me një marrëveshje të tregtisë së lirë për të cilën po negociohet nga përfaqësuesi amerikan i tregtisë Robert Lighthizer dhe homologja e tij britanike, Liz Truss. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…