Borxhi publik i Gjermanisë rritet në 3.1 trilion dollarë

09 prill 2026 | 14:11

Borxhi publik i Gjermanisë është rritur me 151 miliardë euro (176.1 miliardë dollarë) duke shkuar në 2.66 trilionë euro (3.1 trilionë dollarë) në fund të vitit të kaluar, i nxitur pjesërisht nga shpenzimet më të larta në mbrojtje dhe investimet në infrastrukturë, sipas të dhënave paraprake të publikuara të enjten.

Zyra Federale e Statistikave ose Destatis, ka thënë se borxhi total i sektorit publik që mbulon qeverinë federale, shtetet, bashkitë dhe fondet e sigurimeve shoqërore është rritur me 6 për qind nga viti në viti.

Krahasuar me fundin e vitit 2024, stoku i borxhit është rritur me 151 miliardë euro në 2.66 trilion euro. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2025, borxhi është rritur me 50.8 miliardë euro ose 1.9 për qindnga tremujori i mëparshëm, shkruan “Anadolu Agency”.

Borxhi i qeverisë federale u rrit me 32.2 miliardë euro në tremujorin e fundit, duke arritur në 1.84 trilion euro.

Destatis ka theksuar se rritja është nxitur kryesisht nga “fondet speciale”, duke përfshirë ato të caktuara për forcat e armatosura gjermane, ose Bundeswehr, dhe projektet e infrastrukturës. Borxhi i lidhur me fondin e Bundeswehr është rritur me 30 për qind në 43 miliardë euro, ndërsa borxhi i lidhur me Fondin Special të Infrastrukturës dhe Neutralitetit Klimatik (SVIK) arriti në 24.3 miliardë euro.

Borxhi i mbajtur nga shtetet e Gjermanisë është rritur me 8.7 miliardë euro në 624.6 miliardë euro. Hamburgu ka regjistruar rritjen më të madhe me 7.8 për qind, i ndjekur nga Bremeni dhe Bavaria, ndërsa Mecklenburg-Pomerania Perëndimore e ka ulur borxhin e saj me 3.9 për qind.

Borxhi i bashkive dhe shoqatave bashkiake është rritur me 9.8 miliardë euro ose 5.3 për qind, në 196.3 miliardë euro. Ekspertët kanë thënë se autoritetet lokale, pasi kanë shteruar rezervat, po mbështeten gjithnjë e më shumë në huamarrje të reja për të mirëmbajtur shërbimet publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Glauk Konjufca…