Bosnje/ Arrestohen shtatë persona, dyshohen se kanë marrë pjesë në gjenocidin në Srebrenicë

15 dhjetor 2023 | 22:42

Oficerët policorë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të Bosnje e Hercegovinës në zonën e Zvornikut në BeH-së kanë arrestuar këtë të premte shtatë persona për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “gjenocid”, njoftojnë mediat boshnjake.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “përgjegjësisë individuale dhe komanduese” dhe “ndihmës”, të cilat parashikohen nga Kodi Penal i Bosnje e Hercegovinës.

Të arrestuarit do t’i kalojnë Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës pas procedimit penal në ambientet e SIPA-s, njoftoi ky inistitucion.

Personat e arrestuar, siç raportojnë mediat boshnjake, janë të lidhur me pjesëmarrjen në gjenocidn në Srebrenicë në korrik të 1995, derisa SIPA ende nuk ka bërë të ditur detaje të këtij aksioni.

Edhe më 12 shtator, Anëtarët e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA), me urdhër të prokurorit të Departamentit Special për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës, kishin arrestuar disa persona të dyshuar për pjesëmarrje në gjenocidin e Srebrenicës në korrik 1995.

Siç kishte njoftuar Prokuroria e BeH-së, ata janë arrestuar në zonën e Zvornikut, Shekoviç-it, Han Pijeskës, Vlasenicës dhe Bileçës.

“Të dyshuarit janë ish-komandantë dhe anëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS), dhe ata akuzohen për pjesëmarrje në kapjen dhe vrasjen e rreth 70 viktimave, burra dhe djem të kombësisë boshnjake, si dhe një gruaje, më 15, 19 dhe 23 korrik 1995, në lokacionin Jarovlje në Vlasenicë dhe dy lokacione në zonën Bishine-Sekovići, pas së cilës ata organizuan makineri dhe kryen aktivitete për nxjerrjen e trupave të të vrarëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “gjenocid”.

Në korrik të 1995-ës, forcat nga Republika Srpska, e shkëputur nga Bosnja e Hercegovina, vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

Kjo gjykatë i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Megjithatë, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së më 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit serbë filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njofton se ka përcjellë me…