Trump e vë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët e partisë së tij pësuan humbje të shumta, disa ditë pasi kishte thënë se do ta pranonte rezultatin e tyre.
“A beson ndokush vërtet se këto “zgjedhje” ishin të sinqerta? Si mund të ishin aq të gabuara sondazhet” – shkroi Trumpi të hënën në rrjetin “Truth Social”, raporton televizioni BBC.
Kjo duket se bie ndesh me atë që presidenti ia tha gazetës “The New York Times” natën e zgjedhjeve, kur ishte shprehur “absolutisht i gatshëm” për t’i pranuar rezultatet.
Demokratët e rimorën kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e javës së kaluar. Zyrtarët lokalë dhe shtetërorë në mbarë vendin kanë thënë se procesi i votimit është zhvilluar kryesisht pa probleme.
Disa gara kyçe, përfshirë votat për Senat në Alaskë dhe Misisipi, ende nuk janë shpallur të mbyllura.
Në postimin e tij në rrjetin “Truth Social”, Trumpi bëri pretendime të paqarta për sondazhet, “mbeturinat” dhe “makinat” e votave, pa ofruar prova specifike për atë se çfarë rastesh u referohej dhe nëse ai beson që ka pasur gabime apo shkelje.
Raportimi i numërimit të votave natën e zgjedhjeve u zhvillua normalisht, sipas Charles Stewart III, shkencëtar politik në Institutin e Masaçusetsit për Teknologji (MIT).
Sipas tij, në disa shtete amerikane, si Florida dhe Georgia, disa raporte fillestare të rezultateve kryhen shpejt, sepse atje tashmë i kanë rezultatet e votimit të hershëm dhe votimit me postë.
Trumpi edhe në të kaluarën është përpjekur që të hedhë dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve që i ka humbur, edhe pse emri i tij nuk ishte në fletëvotime në zgjedhjet e javës së kaluar.
“Do të kishim fituar me lehtësi, nëse emri im do të ishte në fletëvotim” – tha presidenti amerikan, pasi ishte konfirmuar se partia e tij e kishte humbur shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.



