Botërori, pothuajse i humbur për Neuerin

13 maj 2018 | 12:31

U dukë se Manuel Neuer do t’ia dilte të luante të paktën edhe një ndeshje në këtë pjesë të dytë të sezonit me Bayern Munchenin.

Portieri mungon që nga tetori i vitit të kaluar dhe iu nënshtrua një operacioni në krah. Vetëm dy ditë më parë ai ishte optimist se do të luante disa minuta përpara se të shkonte në Botëror. Një e drejtë e mohuar nga stafi mjekësor i Bayernit që nuk ia ka rekomanduar Jupp Heynckesit ta aktivizonte portierin në dy ndeshjet e fundit. Me Shtuttgartin në kampionat dhe ndaj Frankfurtit në finalen e Kupës së Gjermanisë. Por, shanset janë pakësuar ndjeshëm pas deklaratës së Heynckesit: “Manuel Neueri nuk do të luajë në ndeshjen ndaj Shtuttgartit për kampionat. Edhe shanset që ai të jetë në finale ndaj Frankfurtit janë shumë minimale, edhe pse duhet të presim edhe disa ditë për të marrë një vendim final”.

Mbeten vetëm ndeshjet miqësore përpara Botërorit. Ndaj Austrisë më 2 qershor dhe më datë 8 me Arabinë Saudite. Ndeshja e parë në Botëror është më datë 17 qershor kundër Meksikës. Koha nuk është në favorin e tij. Oliver Bierhoff deklaroi javën e kaluar: “Shpresojmë se Manueli t’ia dalë për të qenë në Rusi. Ai e ka vetë në dorë rikthimin. Ka punuar fort gjatë gjithë këtyre muajve, por i duhet të luajë disa ndeshje përpara se të fillojë turneu. Ne kemi nevojë për atë, pasi është një lojtar i rëndësishëm”. Neueri, edhe në rast se do të luante në ndeshjen ndaj Meksikës, do të ishte larg formës së kërkuar.

Trajneri Joachim Low nuk mund t’i lejojë vetes të gabojë në zgjedhjen e portierit, pasi në stol ka shumë emra që mund ta zëvendësojnë. Marc Ter Stegen është kandidati kryesor për të qenë në portë. Edhe pse ndaj Realit, ai pësoi dy gola, bëri një paraqitje shumë të mirë duke treguar një superformë. Në rast të një mungese të Neuerit, Low mund ta rikthejë përsëri Sven Ulreichin si zëvendësues. Edhe pse gaboi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, ai ka treguar një formë shumë të mirë gjatë gjithë sezonit me Bayernin. Botërori është vetëm 36 ditë larg dhe koha po ecën në disfavorin e Manuel Neuerit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka kujtuar Tahir dhe Nebih Mehën…