Botohet libri “Kosova – Mundësi për investime”

26 janar 2021 | 08:00

Libri “Kosova – Mundësi për investime”, i autorëve Ylli Kaloshi dhe Ejup Gojnovci është një botim me karakter promovues.

Botimi i këtij libri, realizohet me të vetmin qëllim që të prezantohet ambienti i favorshëm i të bërit biznes në Republikën e Kosovës, por nuk ndalet me kaq.

Shkurtazi, prezantohet e kaluara e Kosovës në aspektin ekonomik e historik, kulturor, trashëgimor, të traditës etj. Kush ishte e ku ishte Kosova në të kaluarën e saj historike, me theks të veçantë në aspektin ekonomik? Cilat ishin e cilat janë sot potencialet e saj për zhvillim ekonomik e për investime, çfarë pasuri natyrore dhe çfarë potenciale dhe resurse për zhvillim ekonomik ofrojnë të gjitha komunat e Kosovës veç e veç? Çfarë pasurish nëntokësore e çfarë asete mbitokësore ka Kosova? Kush janë disa ndër biznesmenët e suksesshëm të Republikës së Kosovës që kanë zhvilluar e zgjeruar ndërmarrjet e tyre e kanë depërtuar me prodhime edhe në tregjet globale? Si e menduan ambientin e të bërit biznes në Kosovë disa nga kompanitë e jashtme që kanë investuar në Kosovë dhe si arritën për kohë të shkurtër të bëhen ndër kompanitë më të suksesshme në vend etj.

Këto dhe shumë informacione tjera të rëndësishme që ofron libri “Kosova-Mundësi për Investime”, gjenden në mënyrë mjaft të detajuar, origjinale, të sakta e të verifikuara në mënyrë profesionale.

 “Tashmë, libri ‘Kosova – Mundësi për Investime’, pa dritën e botimit pas më shumë se katër vjet të punës aktive, të pandalshme e shpesh shumë sfiduese. Pa synuar ta kemi bërë të përsosurën, të 460 faqet e tij kolor e në dy gjuhë shqip e anglisht, do komunikojnë me lexuesin”, ka shkruar njëri nga autorët e këtij libri.

Libri ka disa kapituj bazë: Kosovën, Mundësitë ekonomike të saj, Ndërmarrësin dhe Turizmin Kulturor.

Në këtë libër janë të pasqyruara të gjitha komunat e Kosovës, ku investitorët potencial kanë mundësi të kenë informacione mbi resurset natyrore dhe ekonomike të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës, ka thënë që…