BQK dhe BB, diskutohet progresi dhe hapat e ardhshëm në reformat e sektorit financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatorët Shileku Shala dhe Fusha, priti në takim delegacionin e nivelit të lartë të Grupit të Bankës Botërore.
Takimi u përqendrua në shqyrtimin e progresit dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm në zbatimin e reformave kyçe në sektorin financiar të Kosovës.
Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet e fundit në sektorin financiar, veçanërisht në mbikëqyrjen bankare dhe të sigurimeve, duke theksuar qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vazhdueshëm të sektorit.
Diskutimet u përqendruan në zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar, përfshirë progresin drejt krijimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta bazuar në TIPS Clone të ofruar nga Banca d’Italia.
U theksua gjithashtu progresi në kuadër të Projektit për Shërbimet Digjitale Financiare, përfshirë krijimin e strukturave koordinuese, avancimin e Open Banking përmes një grupi të posaçëm pune, përmirësimin e Regjistrit të Kredive, si dhe avancimin e proceseve digjitale të identifikimit të klientëve.
Xiaoqing Yu dhe Marcelo Castellanos rikonfirmuan angazhimin e fortë të Grupit të Bankës Botërore për të mbështetur agjendën e reformave të BQK-së.
BQK-ja ka shprehur mirënjohjen për partneritetin e vazhdueshëm me Grupin e Bankës Botërore dhe mbetet e përkushtuar për avancimin e reformave që forcojnë stabilitetin financiar, modernizojnë sektorin financiar dhe rrisin gjithëpërfshirjen financiare në Kosovë.



