BQK-ja dhe Banka e Shqipërisë hapin ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”
Me rastin e 100-vjetorit të Lekut në qarkullim monetar, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë hapur në Hollin e BQK-së ekspozitën me titull “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”.
I pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast tha se ekspozita reflekton lidhjen ndërmjet historisë dhe besimit në institucionet e vendit, si dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.
Se ekspozita ndihmon publikun të kuptojë rëndësinë e stabilitetit financiar dhe besimit në sistemin bankar, tha guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.
Sipas tij, ekspozita e hapur sot dëshmon se historia, ekonomia dhe kultura janë të pandashme.
E guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të ekspozitës. “Kjo ndalesë në Kosovë ka një kuptim të veçantë. Historia jonë e përbashkët është e shkruar me sakrifica, përpjekje dhe vizion. Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe figura si Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri dhe shumë të tjerë i kanë dhënë formë legjendës kombëtare dhe shtetit shqiptar në kohëra. Dhe po aq e natyrshme është që një ekspozitë që flet për paranë, për BQK-në, dhe për rrugëtimin e shtetit shqiptar të vizitojë Kosovën, sepse historia që paraja shpalos është e jona, është histori e shqiptarëve kudo që jetojnë”, ka thënë ai.



