BQK vlerëson progresin e reformave dhe përcakton prioritetet për vitin 2027 në kuadër të Punëtorisë Strategjike
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mbajti punëtorinë e radhës strategjike me menaxhmentin e lartë dhe drejtuesit e të gjitha njësive organizative, me qëllim vlerësimin e progresit në zbatimin e Planit Strategjik 2024-2028, shqyrtimin e arritjeve gjatë vitit 2026 dhe përcaktimin e prioriteteve dhe aktiviteteve kryesore për vitin 2027.
Punëtoria u fokusua në rezultatet e arritura, ecurinë e reformave institucionale, sfidat në zbatim dhe masat e nevojshme për realizimin e objektivave strategjike, duke synuar forcimin e koordinimit, efikasitetit dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet e BQK-së.
Në hapje të punëtorisë, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, duke shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe përkushtimin e stafit dhe strukturave drejtuese, theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të progresit, orientimit drejt rezultateve konkrete dhe planifikimit të koordinuar institucional, në funksion të përmbushjes së mandatit ligjor dhe avancimit të reformave strategjike.
Gjatë punëtorisë, zëvendësguvernatorët dhe drejtuesit e të gjitha njësive organizative prezantuan arritjet, aktivitetet në zhvillim dhe prioritetet për periudhën në vijim, me fokus të veçantë në forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e mbikëqyrjes dhe rregullimit financiar, vazhdimin e modernizimit të infrastrukturës së pagesave dhe integrimit me infrastrukturën financiare evropiane, zhvillimin e statistikave dhe analizave, forcimin e sigurisë kibernetike, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale të institucionit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua planifikimit për vitin 2027, përfshirë përcaktimin e prioriteteve, afateve dhe përgjegjësive institucionale, me synim përshpejtimin e reformave, përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale.
BQK ritheksoi përkushtimin për zbatimin e plotë dhe efektiv të Planit Strategjik 2024-2028, duke vendosur në qendër stabilitetin financiar, modernizimin e infrastrukturës financiare, transformimin digjital dhe përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes dhe efikasitetit institucional.
Punëtori të tilla periodike janë pjesë e mekanizmave të BQK-së për monitorimin e performancës, koordinimin ndërmjet njësive organizative dhe forcimin e llogaridhënies, duke siguruar që objektivat strategjike të përkthehen në veprime konkrete, rezultate të matshme dhe përfitime të qëndrueshme për sektorin financiar dhe ekonominë e Republikës së Kosovës.



