Disa vende evropiane janë përfshirë nga protesta dhe tensione politike e sociale, ku qytetarët po shprehin pakënaqësinë për koston e lartë të jetesës, korrupsionin dhe politikat qeveritare. Franca dhe Italia kanë shtuar masat e sigurisë, ndërsa demonstrata janë zhvilluar edhe në Spanjë dhe Shqipëri. Në disa raste, protestat janë shoqëruar me përplasje dhe ndërhyrje të policisë.
Ditë protestash në Evropë, përfshirë në Shqipëri: BE nis hetimet për dezinformimin rus
The Guardian ka bërë një përmbledhje të protestave që po zhvillohen sot, më 24 tetor, në vende të ndryshme të Evropës.
Franca: Policia ka arrestuar 135 persona dhe ka angazhuar 70 mijë efektivë për të parandaluar dhunën. Protestuesit kërkojnë më shumë financim për arsimin, banim më të përballueshëm dhe masa kundër shtrenjtimit të jetesës. Në Lion, policia përdori gaz lotsjellës.
Shqipëria: Në Tiranë po zhvillohen protesta kundër qeverisë së Edi Ramës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Italia: Policia ka kontrolluar rreth 150 banesa në Milano përpara protestave. Priten demonstrata për koston e jetesës, arsimin dhe çështje politike.
Spanja: Në Madrid, mijëra pensionistë dhe qytetarë protestuan për mbrojtjen e pensioneve.
Franca – ekstremi i djathtë: Në Orléans po mbahen protesta kundër partisë së Marine Le Pen, me thirrje kundër racizmit dhe fashizmit.
BE po heton dyshimet për ndërhyrje të huaja
Rregullatorët e Bashkimit Evropian po hetojnë dyshimet për ndërhyrje të huaja në internet dhe fushata dezinformimi lidhur me protestat në Francë dhe shpërthimet e dhunës e plaçkitjeve në vende të tjera evropiane.
Sipas zyrtarëve të sigurisë, llogari në rrjetet sociale të lidhura me qarqe pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë kanë shpërndarë video të dhunshme, me qëllim nxitjen e kaosit. Ekspertët dyshojnë gjithashtu për përfshirje të mundshme të Iranit dhe Algjerisë në disa prej këtyre fushatave.
Siç raportoi Financial Times, një zyrtar i BE-së theksoi se institucionet duan të kuptojnë sa bashkëpunojnë platformat online me autoritetet dhe nëse algoritmet e tyre po përhapin më tej përmbajtje që nxit tensionet.
David Colon, studiues i dezinformimit në institutin Sciences Po, tha se ndikues pro-Kremlinit, të lidhur me fushatën ruse Storm-1516, kanë përhapur pretendime të rreme për ngjarjet. Ai përmendi gjithashtu rrjetin rus të ndikimit Matryoshka.
Megjithatë, Colon theksoi se këto llogari nuk i kanë nisur protestat dhe nuk kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.
Ndërkohë, disa qeveri, përfshirë atë franceze, u kanë kërkuar shërbimeve të inteligjencës të hetojnë nëse agjentë rusë kanë nxitur drejtpërdrejt dhunën në rrugë.
Një zyrtar i lartë evropian i inteligjencës tha se deri më tani nuk ka prova konkrete për provokime të tilla. Sipas tij, aktiviteti rus i dezinformimit ka qenë kryesisht reagim në internet, ndërsa hetimet franceze janë ende në fazat e para.



