Bregu: Ditë të mira e presin gjimnastikën e Kosovës

31 tetor 2018 | 16:55

Trajnerja shqiptare Abeliana Bregu është optimiste se sporti i gjimnastikës së Kosovës ka një të ardhme të ndritur ndërkombëtare. “Për një gjë jam e sigurt, se ditë të mira e presin sportin e gjimnastikës, pasi nuk mungojnë talentet dhe dëshira për të punuar”, ka thënë Bregu në këtë intervistë për “Epokën e re”. Ajo ka folur edhe për aktivitetet e suksesshme ndërkombëtare me Klubin e “Elitës”, kurse e ka vlerësuar pozitive paraqitjen e Vilëza Zeqirit, Valëza Ramës, Amela Gërbeshit dhe Bora Hotit në Slloveni.

Fotografia e Klubi i Gjimnastikës " ELITA " Prishtinë - KGJE

Abeliania Bregu është një nga sportistet më të suksesshme në sportin e Shqipërisë, kurse tash me sukses është duke e kryer punën e trajneres së gjimnastikës në Kosovë. Abeliana me përvojën e madhe në garat ndërkombëtare është duke i edukuar sportistet e reja në kryeqytetin e Kosovës për të ecur sigurt rrugës që dikur kishte ecur edhe vetë ajo. Të martën në intervistë për “Epokën e re”, Bregu ka treguar se si e kishte gjetur sportin e gjimnastikës gjashtë vjet më parë, kurse është shprehur e kënaqur me progresin e bërë deri tash në këtë sport. “Sportin e gjimnastikës në Kosovës e kam gjetur jo të zhvilluar. Kam qenë pjesë e gjimnastikës së Kosovës në aktivitetin e dytë që kanë mbajtur, nëse nuk gaboj në vitin 2012, dhe nëse e bëjmë një krahasim me të tanishmen, mund të vërehet një dallim i madh. Sigurisht se edhe numri i klubeve është shtuar dhe cilësia ka filluar të rritet. Jo vetëm klubi ynë, por të gjitha klubet po mundohen ta çojnë përpara sportin e gjimnastikës”, ka thënë Bregu.

“Epoka e re”: Abeliana, jeni që disa vjet pjesë e sportit të gjimnastikës në Kosovë. Mund të na tregoni më hollësisht se si ishte atëherë gjendja në këtë sport dhe si është tash?
Bregu: Sportin e gjimnastikës në Kosovës e kam gjetur jo të zhvilluar. Kam qenë pjesë e gjimnastikës së Kosovës në aktivitetin e dytë që kanë mbajtur, nëse nuk gaboj në vitin 2012, dhe nëse e bëjmë një krahasim me të tanishmen, mund të vërehet një dallim i madh. Sigurisht se edhe numri i klubeve është shtuar dhe cilësia ka filluar të rritet. Jo vetëm klubi ynë, por të gjitha klubet po mundohen ta çojnë përpara sportin e gjimnastikës. Federata është munduar të na mbështesë, por edhe ajo ka pasur problemet e veta financiare. Për një gjë jam e sigurt, se ditë të mira e presin sportin e gjimnastikës, pasi nuk mungojnë talentet dhe dëshira për të punuar.

Fotografia e Klubi i Gjimnastikës " ELITA " Prishtinë - KGJE

 “Epoka e re”: Përvojën tuaj ndërkombëtare kemi filluar ta bartni te nxënëset e Klubit “Elita”. Për dy vjet funksionim, cilat janë rezultatet nga ky klub?
Bregu: Fillimisht e kemi filluar me dy fëmijë, pra nga zero. Mirëpo me punë kemi arritur ta ngrehim edhe numrin e fëmijëve dhe lirisht mund të them se kemi talente që mund ta çojnë gjimnastikën e Kosovës përpara. Klubi i “Elitës” ka dy vjet që funksionon dhe ky vit ka qenë më i suksesshëm për faktin se kemi marrë pjesë në dy aktivitete ndërkombëtare. I pari ka qenë në muajin qershor në Itali, pastaj në Maqedoni dhe, së fundmi, në Slloveni. Në Itali e kemi pasur mbështetjen e federatës me 30 %, sipas rregullores që ata e kanë vendosur, pjesa tjetër është realizuar nëpërmjet prindërve të fëmijëve garues. Ndërsa në Slloveni nuk kemi pasur fare mbështetje financiare nga Federata, përveç mbështetjes me dokumente për marrjen e vizave të sportistëve. Gjithçka është realizuar nëpërmjet donacioneve dhe nga prindërit e fëmijëve garues.

“Epoka e re”: Gjatë vizitave që kemi pasur në klub kemi parë se garueset e reja ju kanë model. Por gjatë kësaj kohe sa ke punuar me to, a keni vërejtur cilësi te ndonjëra nga gjimnastet se mund të jetë Abeliana Bregu e Kosovës?
Bregu: Besoj se po. Ndihem shumë mirë që fëmijët më marrin model dhe shpresoj se edhe ata të ecin rrugës sime. Lirisht mund të them se kemi talente që në të ardhmen mund të marrin medalje në garat ndërkombëtare, por e gjitha ka të bëjë me orët e punës. Duhet të kemi parasysh se sa orë bën një sportist përgatitje për t’u përballur me një sport jashtë Kosovës, por pa harruar edhe ambientin stërvitor dhe kushtet e tjera elementare që duhen për përgatitje.

“Epoka e re”: Në Kosovë dita-ditës po shtohen klubet e gjimnastikës. A keni pasur kërkesë nga ndonjë klub tjetër që të bartni ndonjë përvojë apo sugjerim rreth formimit dhe organizimit të punës me gjimnastet e rinj?
Bregu: Gjithmonë kam qenë e gatshme t’i ndihmoj edhe klubet e tjera, por nuk më është kërkuar deri tash. Klubet i kanë metodat e veta të punës dhe, ndoshta, metodat e mia mund të mos jenë të përshtatshme për to.

Fotografia e Klubi i Gjimnastikës " ELITA " Prishtinë - KGJE

“Epoka e re”: Të rikthehemi edhe një herë te gara e fundit ndërkombëtare në Slloveni. Cili është komenti juaj me paraqitjen e katër gjimnasteve?
Bregu: Të them të drejtën, më ka pëlqyer paraqitja e sportisteve në Slloveni. Në krahasim me aktivitetin e Italisë, ka pasur dallim dhe shumë ndryshime si për nga cilësia por, përveç disiplinës, trau i ekuilibrit që në Kosovë e ushtrojmë në traun e ekuilibrit që është 20 centimetra, kurse në garat jashtë shtetit është 1.25 centimetra dhe kjo fëmijën e ngarkon shumë nga ana psikologjike. Në disiplinat e tjera ka qenë paraqitje e mirë nga të katër vajzat.

 “Epoka e re”: Po sa kohë duhet Kosova të presë që ky sport t’i sjellë medalje ndërkombëtare?
Bregu: Jemi në rrugë të duhur, por për të marrë pjesë në aktivitete jashtë shtetit duhet që të kesh minimum pesë apo gjashtë vjet stërvitje. Ndoshta kemi filluar pak herët, por është më mirë që jemi duke i mësuar fëmijët me gara jashtë vendit. Ne do të punojmë dhe shpresat nuk i humbim asnjëherë që në të ardhmen të sjellim medalje.

Fotografia e Klubi i Gjimnastikës " ELITA " Prishtinë - KGJE

 “Epoka e re”: Pas pjesëmarrjes në dy garat ndërkombëtare, a keni marrë ndonjë lëvdatë apo këshillë nga institucionet përkatëse shtetërore të sportit?
Bregu: Gjimnastika është një sport i ri dhe normalisht se ka nevojë për përkrahje, por realisht askush nuk na ka pritur e as vizituar. Nuk kemi marrë asnjë urim që kemi qenë pjesëmarrës jashtë vendit. Kjo nuk më pëlqen, por personat kompetentë e dinë më mirë se si të veprojnë.

“Epoka e re”: Pjesëmarrje në garën e Italisë, të Maqedonisë, pastaj në Slloveni. Cila do të jetë gara e radhës për gjimnastet e ‘Elitës’ dhe Kosovës?
Bregu: Kur jemi kthyer nga Sllovenia na ka ardhur një ftesë tjetër nga Federata e Ukrainës për një aktivitet që mbahet në pranverë. Është një aktivitet shumë i fortë dhe ne ende nuk e dimë se a mund të shkojmë apo jo.

 “Epoka e re”: Sipas jush, çfarë duhet të bëjë Ministria e Sportit më shumë për gjimnastikën?
Bregu: Ministria duhet të investojë më shumë në salla, por edhe te sportistet në trajnime të ndryshme. Ministria e Sportit e di më se miri se çfarë i duhet një sportisti për të ecur përpara.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka marrë pjesë…