Brenda 22 muajsh Kosova me Spital të Kirurgjisë Pediatrike

15 gusht 2018 | 18:22

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismail, ka vizituar të mërkurën lokacionin ku ka nisur ndërtimi i Spitalit Pediatrik dhe Kirurgjisë së fëmijëve në kompleksin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ai është shprehur i lumtur që iu është dhënë fund zvarritjeve në realizmin e këtij projekti, dhe se pas 22 muajsh shteti i Kosovës do të ketë një spital modern që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë brenda një institucioni.

“Ky është një projekt, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, gurthemeli i së cilit është vendosur disa vite më herët, por që nuk ka mundur të filloj punën si është dashur. Ne i kemi shtuar përpjekjet tona që t’i kryejmë të gjitha procedurat, kemi kontaktuar me donatorin kryesor dhe me konsorciumin e tyre që kanë qenë mbikëqyrës gjerman dhe kemi arritur të zhbllokojmë procesin”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shpjeguar se Spitali Pediatrik Kirurgjik do jetë modern do të ketë pajisje moderne.

Sipas Ismailit, ky spital do të ketë 10 mijë metra katrorë hapësirë dhe 100.

“Projekti është i paraparë të kryhet për 22 muaj, objekti do jetë me ura lidhëse me klinika, projekt i çmueshëm për fëmijët tanë, me kualitet të lartë si ndërtime dhe pajisje moderne”, është shprehur ministri Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, ka thënë se nevoja për këtë spital ka qenë e madhe meqë shumë fëmijë kanë nevojë për trajtim. “Përfundimi i punimeve pas 22 muajve, do të mundësojë kushte shumë të mira, duke llogaritur edhe infrastrukturën tjetër përcjellëse në të gjitha hapësirat e QKUK-së, do jetë kompletim i infrastrukturës dhe me pajisje dhe fëmijët do të gjejnë trajtim më të lehtë”, ka thënë ai.

Në spitalin pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve do të ofrohen shërbimet pediatrike, shërbimet e kirurgjisë pediatrike, hemato-onkologjia e fëmijëve, diagnostika, shërbimet emergjente si dhe shërbime të tjera.

Spitalit Pediatrik Kirurgjik është projekt që do të kushtojë rreth 20 milionë euro, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe i ndarë për Republikën e Kosovës më 2015, ndërsa simbolikisht, gurthemeli i spitalit ishte vendosur në mars 2016.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zhvlerësimi i valutës kombëtare turke mund të ketë ndikim indirekt…