Brenda dy vitesh në Malishevë do të investohen rreth 3 milionë euro në energjetikë
Nënkryetari i Komunës së Malishevës Hajdin Berisha, me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim përfaqësuesit e KEDS-it, Hasan Oz, Avni Alidemaj dhe Kreshnik Sokolin, me të cilët ka biseduar për projektet në sektorin energjetikë.
Në emër të kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Berisha ka njoftuar të pranishmit me gjendjen e furnizimit të kësaj komune me energji elektrike.
“Gjendja me furnizimin me energji elektrike për qytetarët tanë është tejet e keqe. Ky furnizim i dobët po i dëmton amvisëritë shtëpiake, po i dëmton bizneset dhe kompanitë prodhuese të cilat burim të punës dhe varshmëri e kanë nga energjia elektrike. Kjo gjendje po shkakton edhe mungesë të furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm, prandaj kërkojë që të fillojmë sa më shpejt me realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët tanë, kurse për të gjitha procedurat sa i përket institucionit komunal dhe sektorëve, zotohem që do t’i përmbushim brenda afatit që kërkohet dhe do të ju mbështesim e do të bashkëpunojmë në plotëni”, ka thënë Berisha.
Ndërsa drejtori për investime në KEDS, Hasan Oz, ka thënë se projekti i kësaj kompanie në fushën energjetike për Malishevën kap vlerën e rreth tre milionë eurove.
“Projekti për investime në infrastrukturën energjetike, për komunën tuaj, kap një vlerë afro 3 milionëshe, ku përfshijnë investime të përgjithshme në infrastrukturën energjetike, në tetë njësi dhe katër regjione brenda territorit të komunës, në linjë prej 120 kilometrave, nëse shkon sipas dinamikës së planifikuar. Projekti do të realizohet brenda dy viteve dhe gjendja me furnizim të qytetarëve me energji elektrike do të përmirësohet dukshëm dhe problemi do të zgjidhet njëherë e mirë’”, është shprehur Oz. Të dyja palët janë zotuar për bashkëpunim reciprok, gjatë implementimit të projektit.



