Brenda një dite, KQZ dërgon fletëvotimet te 50 mijë nga 105 mijë votuesit me postë nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se më 21 maj ka nisur procesi i votimit nga jashtë Kosovës për qytetarët e regjistruar për votim përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se para fillimit të këtij procesi, përmes operatorit ekonomik janë dërguar jashtë vendit rreth 105 mijë pako individuale për votuesit e regjistruar.
Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së parë të votimit, janë shpërndarë rreth 50 mijë pako që përmbajnë edhe fletëvotimet.
“Më 21 maj ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit që janë regjistruar për të votuar përmes postës. Para fillimit të këtij procesi, KQZ, përmes operatorit ekonomik, ka dërguar jashtë Kosovës rreth 105 mijë pako individuale për secilin votues të regjistruar për të votuar përmes postës. Në bazë të të dhënave, vetëm gjatë ditës së parë të votimit, KQZ ka arritur të shpërndajë rreth 50 mijë pako individuale, të cilat përmbajnë edhe fletëvotimin”, ka deklaruar Elezi.
Sipas KQZ-së, procesi i votimit nga diaspora po vazhdon dhe po zhvillohet në përputhje me afatet e përcaktuara për zgjedhjet e 7 qershorit.



