Rikthehet në pushtet Janez Jansa, Parlamenti i Sllovenisë e zgjedh kryeministër për herë të katërt

22 maj 2026 | 21:36

Parlamenti i Sllovenisë i dha të premten mandatin e katërt si kryeministër politikanit nacionalist Janez Janša.

Më herët gjatë kësaj jave, Janša njoftoi se partia e tij, Partia Demokratike Sllovene (SDS), kishte arritur të formonte një koalicion me disa parti të djathta në Kuvend, duke i hapur rrugën rikthimit në krye të qeverisë.

Janša mori mbështetjen e 51 nga 87 deputetët që votuan në Asamblenë Kombëtare të premten.

Rikthimi i tij në pushtet konsiderohet si një forcim i ri i populizmit të djathtë në Europë, pas largimit nga pushteti të kryeministrit hungarez Viktor Orbán në zgjedhjet e muajit të kaluar në Hungari.

Në zgjedhjet parlamentare të marsit, Janša humbi ngushtë përballë kandidatit liberal Robert Golob, i cili më pas dështoi të formonte qeverinë dhe dha dorëheqjen, duke kaluar në krye të opozitës.

“Të tjerë u përpoqën të krijonin një koalicion shumice, por dështuan. Ne iu qasëm ndryshe, mbi bazë programore dhe hap pas hapi”, deklaroi Janša pas votimit.

Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përgëzoi Janšën për rikthimin në pushtet, duke theksuar se pret “bashkëpunim për përballimin e sfidave të përbashkëta”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në…