Brezi i ri si pasqyrë e dekadencës sonë kombëtare
Shkruan: Dr. med. Ylli H. Mehmeti
Një studim italian ka hedhur një këndvështrim intriguese mbi adoleshencën, duke e përshkruar si një “sëmundje kalimtare”. Kjo periudhë jetësore, e mbushur me ndryshime të mëdha fizike, emocionale dhe sociale, konsiderohet nga studiuesit një sfidë për të rinjtë dhe familjet e tyre. Sipas këtij studimi, nëse adoleshenca kalohet pa eksese – pa përfshirje në sjellje të rrezikshme apo varësi, i riu ka potencial të bëhet një individ i dobishëm dhe i suksesshëm në jetë. Megjithatë, nëse kjo periudhë trajtohet me papërgjegjshmëri, pasojat mund të jenë shkatërruese për të ardhmen e individit. Në shoqërinë tonë e kemi një realitet të frikshëm, ku dhuna verbale dhe fizike midis adoleshentëve ka arritur nivele alarmante, duke u kthyer në një pasqyrë të qartë të dekadencës morale që ka përfshirë vendin tonë. Vrasjet, konfliktet dhe komunikimi i turpshëm mes të rinjve janë simptoma të një krize më të thellë, e cila buron nga dështimi strukturor dhe moral i shoqërisë sonë.
Por si arritëm këtu? Një nga faktorët kryesorë është dështimi i sistemit arsimor, i cili nuk arrin të kultivojë tek të rinjtë ndjenjën e përkatësisë dhe përgjegjësisë.
Sistemi ynë i shkollimit është transformuar në një strukturë formale që rrallëherë ofron vlera reale për të rinjtë. Në vend të një platforme për ndërtimin e karakterit dhe aftësive, ai është bërë një formalitet që shpesh nuk çon askund. Shkollat nuk janë më vendet ku edukimi etik dhe moral trajtohet si prioritet. Për më tepër, mësuesit janë të privuar nga mundësitë për të frymëzuar të rinjtë për shkak të kufizimeve te llojllojshme dhe mungesës së mbështetjes institucionale .
Pozicioni shoqëror në Kosovë nuk arrihet më përmes mundit, dijes dhe sakrificës. Ky realitet është bërë i qartë edhe për adoleshentët, të cilët shohin shembuj të shumtë se si njerëzit pa arsimim ose përkushtim të vërtetë , avancojnë në mënyrë të padrejtë ne pozita publike, akademike apo administratës shtetërore në tërësi. Në një shoqëri ku sukseset personale nuk janë të lidhura me arsimin, apo me përgatitjen profesionale e intelektuale por me lidhjet politike, nepotike dhe korruptive. Politika dhe ndërhyrjet politike kanë fuqinë të formësojnë të ardhmen e një kombi. Por tek ne për fat të keq ato përdorën për të mbështetur individë të pamerituar, të paaftë , të cilët shkatërrojnë jo vetëm institucionet por edhe motivimin e të rinjve për të ndërtuar jetën e tyre brenda vendit .
Kjo krijon një brez të të rinjve që nuk kanë as dëshirë e as vullnet për të investuar në të ardhmen e tyre brenda shtetit të tyre. Të rinjtë shohin se rruga drejt arritjes personale nuk kalon më nga sakrifica e shkollimit apo nga ambicia për punë, por nga një strukturë nepotike dhe korruptive, e instaluar nga politika, që nuk ka asnjë lidhje me vlerat apo dijet.
Pyetja e tyre është e thjeshtë: Pse të mësojmë, pse të sakrifikojmë, kur kjo nuk sjell rezultat? Përballë këtij zhgënjimi, ata kthehen drejt formave të tjera të shprehjes, e qe janë dhuna dhe agresioni. Këto sjellje janë pasojë e mungesës së drejtimit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.
Situatën e bën edhe më të rëndë pasiviteti i intelektualëve, të cilët janë konfirmuar me këtë të keqe dhe nuk reagojnë kurrë për asgjë. Halli i tyre i vetëm është punësimi i fëmijëve në institucionet shtetërore dhe përfitime të tjera modeste. Ata nuk kuptojnë që mos adresimi i këtyre problematikave shoqërore është njësoj si të heshtësh përballë një bombe të kurdisur, e cila, kur të shpërthejë në të ardhmen e afërt, do të dëmtojë edhe familjet e tyre. Në asnjë institucion nuk funksionon vlera si atribut i shenjtë i njeriut; në vend të saj, mbizotërojnë vetëm nepotizmi dhe korrupsioni. Kjo gjendje është tragjike për ne si popull, sepse është bërë e mirëqenë, e pranuar si diçka normale.
Mungesa e modeleve pozitive ne jetën reale dhe kultura e “të fortëve” që dominojnë përmes presionit e dhunës, janë forcuar nga një sistem i drejtësisë që dështon t’i ndëshkojë sjelljet kriminale. Kjo vetëm sa i inkurajon adoleshentet të ndjekin këtë rrugë destruktive.
A ka zgjidhje ? Kjo dekadencë kombëtare që reflektohet tek të rinjtë kërkon një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon shoqëria jonë . Hapi I pare do duhet te ishte reformimi i përgjithshëm i sistemit te shkollimit, me ndërtimin e një shoqërie meritokratike. Demaskimi dhe denoncimi i lidhjeve nepotike dhe korruptive brenda institucioneve te shtetit. Krijimi i modeleve pozitive nga shteti, ku ne vazhdimësi bëhet favorizimi dhe faktorizimi i individëve qe kanë vlera profesionale .
Roli i shtetit është jetik në krijimin e modeleve pozitive që shërbejnë si frymëzim për qytetarët. Shteti duhet të jetë promotor i vlerave profesionale, duke favorizuar dhe faktorizuar individët që spikasin përmes aftësive dhe integritetit. Kjo do te inkurajon dhe motivon adoleshentet tanë qe shkollimi cilësor është rruga e pozicionimit te denjë në shoqëri.
Brezi i ri aktual është pasqyrë e një shoqërie e cila ka devijuar nga rruga e vlerave dhe përgjegjësisë. Nëse nuk ndërhyjmë tani për të ndryshuar mendësinë e atyre që kanë përgjegjësi politike në këtë vend, atëherë dhuna, injoranca dhe zhgënjimi vetëm sa do të thellohen. Përgjegjësia për këtë dekadencë është e të gjithëve dhe vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për rininë tonë dhe për kombin.