Britania kërkon ndihmë nga ushtria kjo është arsyeja

28 shtator 2021 | 16:44

Edhe pse qeveria britanike ka siguruar se ka karburant të bollshëm në treg, pikat e furnizimit mbeten bosh prej ditësh për shkak edhe të mungesës së shoferëve që transportojnë lëndët djegëse në vend. Tashmë është gati të ndërhyjë edhe ushtria.

Britania e Madhe mund të përdorë ushtrinë për të lehtësuar problemet me furnizimin me karburant.

Prej katër ditësh, pikat kombëtare të karburantit janë boshatisur nga nafta dhe benzina për shkak të qytetarëve që po i blejnë me shumicë pasi dyshohet se mund të ketë mungesa në treg.

Arsye tjetër është zbulimi se vendit i mungojnë mbi 100 mijë shoferë kamionësh dhe autobuzesh, të cilët po ndikojnë te transporti i lëndëve djegëse por edhe i ushqimeve në supermarkete.

Ushtria ka thënë se mund të dërgojë 150 shoferët e vet për mjete të rënda që të furnizojnë pikat me karburant.

Ndërkohë është kërkuar t’i jepet përparësi furnizimit të punonjësve me profesione jetike për vendin.

Dy furnizuesit më të mëdhenj të naftës, British Petroleum dhe Shell, janë përpjekur ta sigurojnë publikun vendës se prodhimi është brenda normave dhe se situata do të kthehet në normalitet.

Qeveria britanike ka njoftuar për një pezullim të ligjit për konkurrencën mes kompanive të naftës, duke i lejuar ato që të punojnë së bashku për të lehtësuar krizën e fundit.

Ndërkohë vendi ka shpallur edhe mbi 10 mijë viza të përkohshme për shoferë të huaj autobotesh dhe kamionësh me ushqime me afat deri për Krishtlindje.

Mungesat për shoferë vijnë si pasojë e Brexit dhe largimit të këtyre punëtorëve drejt vendeve të origjinës, por edhe prej pandemisë, pagave të ulëta dhe plakjes së forcës punëtore.

Mungesa të tilla raportohen se po hasin edhe Gjermania e Polonia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bukuroshja Trejsi Sejdini ka postuar një set fotografish gjatë vikendit…