Britania përshëndet dëbimin masiv të diplomatëve rusë
Britania e Madhe ka përshëndetur dëbimin masiv të spiunëve të dyshuar rusë në mbarë botën, duke thënë se kjo është “pikë kthese”, përderisa Rusia ka thënë se dëbimet erdhën si rezultat i “presionit kolosal” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Dëbimet e koordinuara vijnë si kundërpërgjigje ndaj helmimit me agjent nervor të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në qytetin britanik Salisbury.
Të paktën 116 diplomatë janë urdhëruar që të largohen nga 22 shtete më 26 mars.
“Asnjëherë më parë, kaq shumë shtete janë bashkuar për të dëbuar diplomatët rusë”, ka shkruar në “The Times”, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, duke e quajtur “një goditje nga e cila do të nevojiten shumë vite që inteligjenca ruse të rimëkëmbet”.
“Besoj se ngjarjet e djeshme mund të shndërrohen në pikë të kthesës”, ka thënë Johnson, duke shtuar se “aleanca perëndimore ka ndërmarrë veprime vendimtare dhe partnerët e Britanisë u bashkuan kundër ambicieve të pamatura të Kremlinit”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Uashingtonin se ka bërë presion “kolosal” mbi aleatët që të dëbojnë diplomatët dhe është zotuar se Rusia do të kundërpërgjigjet.
“Ky është rezultat i presionit kolosal, shantazhi kolosal është instrumenti kryesor i Uashingtonit në arenën ndërkombëtare. Ne do të përgjigjemi, nuk kam dyshim për këtë”, ka thënë Lavrovi gjatë vizitës në Uzbekistan.