Britania sanksionon dy politikanë serbë të Bosnjës

11 prill 2022 | 14:47

Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar.

Dodiku është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ndërsa Cvijanoviqi është presidente e entitetit Republika Sërpska.

“Të inkurajuar nga sistemi i Rusisë për minim të rregullave ndërkombëtare, të dy individët kanë përdorur pozitat e tyre të autoritetit për të çuar përpara shkëputjen de facto të Republikës Sërpska – një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës – në kundërshtim të plotë me kushtetutën e shtetit”, kanë bërë të ditur autoritetet britanike më 11 prill.

Më 5 janar të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut.

Departamenti Amerikan i Thesarit pati thënë atëbotë se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thomas Muller do ta mbyll karrierën në Bayern Munich, sipas…