Broja lë pas dëmtimin dhe kthehet në stërvitje me Chelsea-n

15 tetor 2023 | 15:20

Armando Broja ishte lojtari që të gjithë prisnin në grumbullimin e fundit të Shqipërisë, i konsideruar me të drejtë nga të gjithë si një lojtar që mund ta ndihmonte akoma dhe më tepër këtë grup për siguruar kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm. Megjithatë, 22-vjeçari është larguar nga grumbullimi i kuqezinjve vetëm 2 ditë pasi kishte nisur, për shkak se sulmuesi nga Malësia e Madhe kishte një shqetësim në gju.

Ekzaminimet kanë treguar se lëndimi nuk ishte serioz, diçka që konfirmohet dhe në këtë fundjavë, për shkak se futbollisti është bashkuar me grupin në seancën e fundit stërvitore të Chelsea. Broja do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës që do të kenë blutë e Londrës, javën e ardhshme ndaj Arsenalit.

Broja vjen pas një dëmtimi që e ka mbajtur jashtë fushave të lojës për rreth 10 muaj e natyrisht frika e një tjetër dëmtimi është e madhe, por në të njëjtën kohë një situatë e tillë lë vend për teori të ndryshme. Broja nuk ishte në shkallët e “Air Albania” në ndeshjen me Çekinë, siç është parë Ardian Ismajli, i cili gjithashtu ishte i dëmtuar, por qëndroi pranë kuqezinjve.

Fatmirësisht gjërat kanë shkuar mirë për Shqipërinë, e cila në këto kualifikuese ka shkëlqyer në pot kuptimin e fjalës, pavarësisht mungesave apo dëmtimeve që kemi pasur në këtë rrugëtim, por interesimi i lartë për Brojën nga tifozët e opinioni publik dhe ai largim pas vetëm 2 ditësh grumbullim, nuk lë një shije dhe aq të mirë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jadon Sancho do të jetë një nga më të kërkuarit…