
Bruto produkti vendor shënoi rënie për -7.25 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, Bruto Produktit Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020 shënoi rënie për -7.25 për qind. “BPV-ja në TM3 2020 shënon rënie reale për (-7.25 për qind), krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019). Aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie në këtë tremujor ishin: ndërtimi (-16.77 për qind); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore (-16.89 për qind); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-3.67 për qind)”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas raportit të ASK-së, aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë (6.7 për qind); informacioni dhe komunikacioni (3.65 për qind); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (2.81 për qind); artet, argëtimi dhe çlodhja, dhe aktivitete të tjera shërbimi (3.67 për qind); administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia (3.59 për qind); aktivitetet profesionale dhe administrative (3.3 për qind); dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi (0.58 për qind).
“Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rënie janë: formimi i bruto kapitalit (-10.18 për qind); eksporti i shërbimeve (-59.62 për qind); dhe importi i mallrave dhe shërbimeve (-13.51 për qind).
Ndërkohë, rritje në këtë tremujor kishte: eksporti i mallrave (3.55 për qind); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (16.92 për qind); dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (5.99 për qind)”, është thënë në raport, duke u shtuar se shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake kishin rritje nominale për 2.53 për qind në TM3 2020, krahasuar me TM2 të vitit 2020”, thuhet në raport.