
Bukë, argetë dhe jogurt. Kjo është shujta e Njësisë Speciale në veri
Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës dje dhe sot janë angazhuar në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, konkretisht targave të automjeteve.
Ndërkaq, qytetarët serbë edhe gjatë të martës kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që shpijnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi ku shihen pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë duke ngrenë ushqim: bukë, argetë dhe jogurt.
Për ketë meny të ushqimit ka pasur reagime.
“Bukë, argetë dhe një jogurt”, kjo qenka menyja ushqimore për pjesëtarët e Njësisë Speciale në veri. Nuk po dallojka shumë nga ajo e kohës së luftës”, kështu ka shkruar profesori universitar Blerim Latifi.
Ai ka shtuar: “Më kujtohet se si në qendrën e grumbullimit të ushtarëve të UÇK-së në Kukës, në mëngjes dhe në darkë, na jepnin nga një qepë, një gjysmë buke dhe një gotë me çaj. Aty ishte një gjerman shtatlartë, i cili protestonte në gjermanisht ndaj asaj diete tmerrësisht të varfër. Atëherë ishte kohë lufte dhe justifikohej ushqimi i keq, por sot është e turpshme që policët më të mirë të Kosovës që po mbrojnë kufirin në veri të ushqehen për faqe të zezë”, ka thënë Blerim Latifi.