Bukuroshja Dorote

03 nëntor 2025 | 08:28

Charles Baudelaire

Dielli topit gjithë qytetin me rrezet e tij të tmerrshme dhe pingule[1]. Rëra është verbuese dhe deti vezullon.

Njerëzit, të trullosur e të nënshtruar, shtrihen të bëjnë pushi­min e drekës, pushim që është si një lloj vdekje e këndshme, ku gjumashi gjysmë i zgjuar shijon kënaqë­sinë e shkatërrimit të vetvetes.

E, megjithatë, Doroteja, e fortë dhe krenare si dielli, ecën në rrugën e shkretuar. Është e vetmja qenie e gjallë që ecën në këtë orë nën kaltërsinë e pamasë, duke for­muar një njollë të shkëlqy­eshme dhe të zezë në mes të hapësirës gjithë dritë.

Ajo ecën duke tundur lehtësisht bustin e saj të hollë mbi ijët e gjera. Fustani prej mëndafshi ngjyrë rozë të çelur që i rri ngjitur pas trupit bie dukshëm në kontrast me errësirën e lëkurës së saj dhe mbështjell me përpi­këri trupin e gjatë, kurrizin e harkuar dhe gjoksin me majë.

Çadra e kuqe, duke filtruar dritën e diellit, projekton mbi fyty­rën e errët të Dorotesë shëmbëlltyrën e përgja­kur të imazhit të saj.

Koka e saj e brishtë përkulet mbrapa nga pesha e flok­najës së bollshme që ka një ngjyrë pothuajse blu dhe i jep asaj një pamje ngadhënjimtare dhe përtace. Vathët e rëndë gurgullojnë fshehtas te veshët e saj të adhurue­shëm.

Herë pas here, flladi që vjen nga deti ngre cepin e fustanit të saj valëvitës dhe nxjerr në pah këmbën e bukur e të lëmuar. Shputa, e ngjashme me atë të hyjne­shave prej mermeri që ndo­dhen të burgosura në muzetë e Evropës, lë me besnikëri formën e saj mbi rërën e imët. Doroteja është mrekullisht kaq shumë lozonjare, saqë për të, kënaqësia e të qenit e admiruar nga të tjerët është më e fortë sesa krenaria e të qenit e çliruar nga sklla­vëria. Prandaj vazhdon të ecë zbathur edhe pse është tashmë e lirë.

Ajo ecën, në mënyrë harmonike, e kënaqur nga jeta, duke buzëqeshur çiltërsisht, sikur të shquante diku larg në mes të hapësirës së pafund një pasqyrë që vezullon të ecurën dhe bukurinë e saj.

Ç’motiv i fuqishëm e shtyn Dorotenë përtace, Dorotenë e bukur dhe të ftohtë si bronzi, të dalë në këtë orë ku dhe vetë qentë hungërijnë me dhembje nga kafshimet e diellit?

Përse e ka braktisur kasollen e rregulluar aq bukur, ku lulet dhe rrogozat formojnë me pak shpenzime një buduar[2] të për­sosur, ku ajo ka kënaqësi të krihet, të pijë duhan, të bëjë fresk me erashkat e saj të mëdha prej pendësh, të shikohet në pas­qyrë, ndërkohë që deti që zhurmon në plazhin që ndodhet njëqind hapa larg, shoqëron në mënyrë të bujshme dhe mono­tone ëndrrat e saj të paqarta dhe ku tenxherja prej hekuri, në të cilën po gatuan një ragu me gaforre, oriz dhe shafran i dërgon nga fundi i oborrit parfumet e saj eksituese?

Ndoshta ka lënë takim me ndonjë oficer bukurosh, i cili ka dëgjuar të flitet për Dorotenë e famshme nga shokët e tij te plazhet e largëta. Padyshim, ajo si një krijesë e thjeshtë që është, do ta lusë që t’i përshkruajë ballon e Operës, do ta pyesë se a mund të shkohet aty këmbëzbathur, ashtu siç shkon ajo të dielave për të kërcyer ato valle ku edhe vetë kafrinat[3] plaka dehen dhe çmenden nga gëzimi, do ta pyesë nëse zonjat e Parisit janë të gjitha më të bukura se ajo.

Të gjithë e adhurojnë dhe e përkëdhelin Dorotenë, dhe ajo do të ishte vërtet e lumtur në qoftë se nuk do të ishte e detyruar të grumbullonte piastër[4] pas piastre për ta blerë motrën e saj të vogël, e cila megjithëse është njëmbëdhjetë vjeç, është tashmë shumë e pjekur dhe e bukur! Me siguri, e mira Dorote do t’ia dalë mbanë; skllavopronari i motrës së saj është aq koprrac saqë nuk kupton asnjë lloj bukurie tjetër përveç asaj të parave.

 

[1] Ngjarja zhvillohet me siguri në një vend afër ekuatorit ku rrezet e diellit në mesditë bien pingul mbi kokë.

[2] Nga frëngjishtja boudoir. Dhomë e vogël dhe elegante, në të cilën zonjat e familjeve të pasura prisnin miqtë e tyre më të afërt.

[3] Banorët e Kafrërisë. Emër me të cilin evropianët në shekullin XIX cilësonin pjesën juglindore të Afrikës që sot shtrihet midis Kenias dhe Tanzanisë.

[4] Monedhë me vlerë të vogël në disa vende të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme.

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”. Përktheu nga frëngishtja: Roland Çipa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dibran Demaku 1. Pranvera e parë pas shkuarjes sate mori…