“Buvar dhe Pekyshe”, vepër madhore satirike e letërsisë botërore

02 shtator 2020 | 15:14

AHMET MEHMETI

Kohët e fundit, pas një pune këmbëngulëse, pasionuese dhe shumë të kujdesshme të përkthyesit të talentuar Verjon Fasho, është sjell në duart e lexuesve shqiptarë një nga kryeveprat e letërsisë frënge dhe botërore, romani gjenial i Gustav Floberit “Buvar dhe Pekyshe”.

Aktualisht në qarqet akademike ka interesim të madh për kanonin në përgjithësi dhe për atë evropian në veçanti. Për këtë qëllim po bëhen studime teorike dhe shqyrtime historio­grafike, hulumtime dhe sondazhe paraprake nga individë të shquar në fushën e kritikës letrare, letërsisë së krahasuar etj., ose edhe mes docentëve të shumë universiteteve europerëndi­more, përfshirë edhe ato ruse dhe turke. Në vlerësim merret edhe “perceptimi” i lexuesve: mendimeve, shijeve, emocio­neve të tyre. Qëllimi përfundimtar është arritja e një vizioni për kanonin evropian të letërsisë, të bazuar mbi vlera kultu­rore të përbashkëta.

Një ndër autorët më të shquar që i bën nder kanonit letrar evropian është Gustav Floberi, me disa kryevepra, prej të cilave ajo që dallohet më shumë është romani i tij i fundit “Buvar dhe Pekyshe”. Kjo kryevepër e shpreh forcën dhe madhështinë e vet me epërsinë e ligjërimit figurativ, thesarin e diturive e të njohurive që sjell, gjerësinë shprehëse që janë tregues thelbësorë të romancierëve gjenialë.

Po ta bëjmë miniaturën e këtij romani prej më se katërqind e sa faqesh do të kemi këtë tablo: dy personazhet kryesorë janë mishërim i vet autorit dhe alter ego të tij. Ata plotësojnë njëri-tjetrin në etjen për aventura, kërkime dhe dështime, duke na shpalosur një “shtrirje enciklopedike të subjektit” (Henri Troyat, “Gustav Flober, jeta dhe vdekja”, 2004, f. 381) dhe duke na dhënë një hiper-realitet me një stil krejt origji­nal.

Mrekullia e këtij stili i rrit vlerat përmbajtjes së romanit, e bën atë shumë të fortë dhe jashtëzakonisht tërheqës si në rastin kur ata të dy (Buvar dhe Pekyshe) merren me këmbë­ngulje me kërkimet e tyre nëpër libra dhe revista shkencore etj., po ashtu edhe kur marrin shuplakat e dështimeve të pamëshirshme për gafat e marrëzitë në zbatimin e tyre. Në hapësirën e kësaj përmbajtjeje gëlon një pasuri e pafund dijeje, dituria e një nga romancierëve më virtuozë të botës së letrave siç është Gustav Floberi (fillimisht ka studiuar mbi 1 500 koleksione librash dhe ka shfrytëzuar abonimet e, të paktën, 30 revistave shkencore për ta shkruar këtë roman).

Që në faqen e parë të romanit bien në sy anët që i bashkojnë të dyja figurat komike: ata takohen duke u ulur në të njëjtin stol njëherësh, heqin kasketat dhe i vënë pranë me të njëjtin veprim. Të dy kanë shkruar emrat e tyre në to. Të dy kanë mendime të njëjta për femrat duke i quajtur “të cekëta, të serta, kokëngjeshura”, “më mirë të jetosh pa to”. Pekysheja kishte mbetur beqar, kurse Buvari i ve dhe pa fëmijë.

Dyshja, megjithëse me profesion kopistë, që në takimin e parë lartësuan të mirat e shkencave dhe shprehën keqardhjen që nuk kishin pak kohë për t’u kushtuar çdo natë studimeve. Takimi i vërsnikëve dyzet e shtatë vjeçar pati rëndësinë e një aventure që i lidhi përnjëherësh me disa fije të fshehta.

Për ta përforcuar këtë, autori thekson se dashuria me shikim të parë është e vërtetë për të gjitha llojet e pasioneve. Shijet e tyre të veçanta harmonizoheshin më së miri. Sapo shfaqej njëri, të dy ia mbathnin në rrugë, duke e paraqitur veten si të huaj, si anglezë etj. Pasi u njohën me njëri-tjetrin, kolegët e punës nuk u hynin më në sy dhe zunë të tregohen sa më të kursyer në marrëdhënie me ta.

Autori thekson se ata e rritën shumëfish vlerësimin për veten dhe me vështirësi po mbijetonin në këtë neveri. Në këto kushte Buvarit iu caktua një trashëgimi nga i ati, që deri atë kohë e njihte për xhaxhain e vet dhe shpalli: “Do të vendo­semi në fshat”. Ndërsa Pekyshesë këto fjalë iu dukën sikur dolën nga vetja, por nuk do të nisej pa përfituar pensionin, meqë nuk donte aspak të jetonte në kurriz të tjetrit. Të dy kishin një moto: “Do të bëjmë ç’të na dojë qejfi”. Morën nga kryeqyteti gjithçka që u duhej për një jetë normale në fshat, pa harruar librat që i bashkonin në etjen e tyre për dituri.

Me të thënë e me të bërë, të dy, nga Parisi përfunduan në një fermë në viset e Shavinjolit, midis Kaenit dhe Falezit, në Normandi. Pa e pasur haberin e bujqësisë, dyshja aventuriere parisiane, në fermën e sapoblerë, priti me padurim pranverën bujqësore me mirëkuptim dhe studime literaturash, për t’ia dalë mbanë pa kurrfarë dyshimi, por edhe duke parë si vepro­nin fqinjët e tyre. U abonuan edhe në një gazetë periodike për bujqësinë. Duke qenë krejt amatorë në bujqësi, edhe literatura më e thjeshtë u rezultonte kontradiktore, kurse instrumentet si barometri e termometri nuk u thoshin kurrgjë. Zbatimet e gabuara në bujqësi i çuan në katastrofë.

Të korrat qenë shumë të dobëta, shitjet shumë të lira për shkak të cilësisë së keqe. Në blegtori, pasi derrat i dendnin me tërshërë, këta të fundit thyenin trinat dhe sulmonin kalim­tarët; deleve u ra sëmundja e ngordhën pothuajse të gjitha, kurse demat e mëdhenj dhanë shpirt si pasojë e marifetit të tmerrshëm të nxjerrjes së “gjakut të papastër” nga trupi; me veprime të shpifura për luftimin e parazitëve pulat i ngjeshën nëpër kafaze rrotullues derisa iu thyen këmbë e krahë.

Si për t’u rehatuar disi pas këtyre goditjeve befasuese, pro­dhuan birrë me gjethe të vogla lisi që ia shërbyen korrësve si të qe musht. Si pasojë e kësaj të fundit, “fëmijët qanin, gratë ofshanin, burrat kapsallitnin sytë si të xhindosur. Diarreja dhe dhimbja e fortë e barkut e Buvarit mori nam nëpër gjithë fshatin, kurse autori i recetës, Pekysheja, u ndje sikur iu hap toka nën këmbë”.

Dështimet në bujqësi u pasuan nga ato në frutikulturë; zaten gafat qenë të mëdha, për shembull, në vend të krasitjes bënin masakra mbi pemët duke e konceptuar pemëtarinë si një marrëzi dhe që i çoi në akuzën ndaj vetes se kishin treguar ambicie të tepruar, se do ta fitonin dyfishin pa e vënë ujin në zjarr për asgjë.

Në fatkeqësitë e tyre, dyshes së famshme, përçmimi i të tjerëve për gafat e tyre u dukej se vinte nga xhelozia dhe kjo sikur ua ngrohte zemrat. Të zhgënjyer nga të gjithë, vendosën të jetonin krejt të veçuar, në pronën e tyre, vetëm për veten e tyre. Provuan të merren me konservim por, ende pa filluar mirë, ndryshimi i temperaturave të ujit bëri që vazot të thyhen pothuajse të gjitha; deshën të prodhonin verë Malage, shampanjë, por shishet e përziera me musht shpërthyen vet­vetiu dhe ata nuk dyshuan më për mossuksesesin e tyre, thotë autori. Megjithatë, me studimet e tyre “të avancuara” ata zunë të dyshojnë për mashtrime në të gjitha produktet ushqi­more. Para tyre u hap një “perspektivë” e re duke shfaqur para gjendjes një natyrë serioze, rëndësinë e të marrit me punë të lartë e të dobishme që, si gjithnjë, përfundonin në skanda­le.

Ndër të tjera, nga fundi i vjeshtës disa njolla të dyshimta u shfaqën në kavanozat e konservave, domatet e bizelet ishin kalbur, taposja i tërboi fare, në disa të tjera kërpudhat kishin mbirë në supën me perime, një kutërbim i padurueshëm qelbi krejt laboratorin, ndërsa paratë mungonin për të provuar metoda të reja, fermës i kishte trokitur fundi.

Por, në vend të shkoqitjes së shkaqeve të vërteta të faliment­timit të fermës, ata justifikohen se kjo, ndoshta, erdhi se nuk e njihnin mirë kiminë dhe kështu na japin rastin të njihemi me një tjetër aspekt zbavitës në rrugën e aventurave të tyre të panumërta. Sapo njihen, përmes literaturës si gjithmonë, me kiminë inorganike dhe mahniten prej saj, hidhen te kimia organike: “Ç’mrekulli t’i gjesh te qeniet e gjalla të njëjtat substanca prej të cilave përbëhen mineralet”!

Pasioni i çon personazhet tek anatomia, të cilët, në hutim e sipër, pasi zbërthenin krejtësisht kufomën, ndiheshin më pas fort keq në pazotësinë për ta risjellë në formën që kishte. Dhe kur doktor Vokorbej rrekej t’i trajtonte si të paaftë që ishin, ata shprehin habinë “a thua i përkiste shkenca vetëm këtij zotërie?!”

Ata mbetën të kënaqur me zbulimet e bëra: në gurzit e dhëmbëve gjenden tri lloje gjallesash mikroskopike, epiqendra e shijes ndodhet te gjuha dhe ndjesia e urisë në stomak. Ata arritën në përfundimin se fiziologjia është një roman i mjekësisë dhe në pamundësi për ta kuptuar, hoqën dorë prej saj. Kaq shumë ishin trazuar mendjet e tyre nga leximet e filozofisë së mjekësisë sa i shkruan mbretit për të krijuar një institut infermierie në të cilin do të bëheshin profesorë. Arritën të dyshonin për dobinë e mikroskopit dhe zbulimet që i atribuohen atij farë sendi, sipas tyre, mbase nuk janë edhe aq pozitive.

Papritur, një ditë, në pjesën e fundme të një gazete, lexuan titullin e një rubrike “Mbi mësimin e gjeologjisë” dhe pasi morën informacionin aktual, shohim se si me fare pa të keq e shpallën veten inxhinierë të gjeologjisë. Pasi panë se edhe kjo shkencë u hapi shumë telashe, Buvari flaku çantën e shpinës dhe deklaroi se nuk do të vazhdonte më tej pasi, sipas tij, “gjeologjia ka shumë të meta”, kurse Pekusheja i vuri kapa­kun me shprehjen “nuk besoj aspak në mbretërinë minerale” dhe shumë arsyetime të tjera “të mençura” si këto.

Gjashtë muaj më vonë ata i shohim si arkeologë dhe shtë­pinë e tyre si muze. Autori thotë se ata u zhytën kokë e këmbë në arkeologjinë kelte që i shtyu deri në vjedhje objektesh feta­re si eksponate muzeale. Sipas përfundimeve të tyre, religjioni i galëve kishte të njëjtat principe me ato të hebrenjve. Ata shkuan aq larg sa u përpoqën të mësonin hebraishten, duke menduar se ishte gjuha mëmë e asaj kelte “nëse nuk rrjedh prej saj”. Nga një supjerë fine në famulli, që donin ta bënin të tyren, u lindi shija për fajancat si subjekt studimesh dhe eks­plorimesh në mbarë krahinën. Nga objektet arkeologjike kalu­an në një tjetër shije, atë mbi historinë botërore, e cila u grishi të dyve një endje dhe nevojë lidhur me të vërtetën në vetvete. Por, edhe këtu nga moskokçarja e datave, ata kaluan në për­buzjen e fakteve dhe ua tha mendja se ajo që ka rëndësi është filozofia e historisë.

Pas shumë diskutimesh, vendosën të provojnë të shkruajnë një histori. Pekyshe propozoi jetëshkrimin e dukës së Angu­lemës, të cilin Buvari e cilësoi thjesht një hajvan. Por për tjetrin kjo s’ka rëndësi. Sipas tij, personazhet e dorës së dytë kanë ndikim të madh në jetën shoqërore dhe politike dhe kjo gjë, ndoshta, ka qenë mekanizëm i rëndësishëm shtetëror.

Në literaturën e ofruar për këto qëllime atyre u mungonin çështjet e zemrës së personazheve historike, kështu që i vunë rëndësi kërkimit të aferave të tyre dashurore.

Sipas Pekyshesë, flokët paraqisnin karakterin e individit, kurse Buvari është i mendimit se nuk mund të dish asgjë për një person për sa kohë nuk i njeh pasionet. Ata dolën me përfundimin se faktet e jashtme (historia) nuk janë gjithçka, se ato duhen plotësuar nga psikologjia (nga brenda); pa imagji­natën historia do të ishte plot të meta. Kështu që u sulën në kërkim të studimit të romaneve historike. Nga Valter Skoti, ku gjetën spostime në ngjarje, rishqyrtuan Dymanë nga pikëpamja shkencore, por edhe këtij të fundit Pekyshe nuk deshi t’i zinte besë, me pretekstin e hipotezës së vrasjes së tij nga një ushtar. Buvari, nga urrejtja që kishte për xhinglat e minglat, u dha pas Zhorzh Sandit. Ndërsa Balzakun me veprën gjigande, ku në gjërat më të rëndomta buisnin ide të reja, e kritikuan me idenë se ai resht së qeni romancier duke u shndërruar në agjent statistikash ose etnograf. Kaq shumë u pëlqeu mendja e tyre sa u vetëshpallën artistë. Në këtë vetë­lëvdatë, Pekyshe, fytyrë rrumbullak me kokë të shogët, kapardisej me mustaqe, kurse Buvarit i dukej vetja si kopje e denjë e Beranzhesë. Pekyshesë i shkoi mendja të merret me vargje, por si fillim propozoi të merreshin me prozë.

Ata shkuan aq larg në analizat e tyre saqë sintaksën e kon­sideruan fantazi dhe gramatikën iluzion. Për t’u dhënë fund përplasjeve midis tyre menduan se shkenca e estetikës do të sheshonte mosmarrëveshjet pasi të sqaronin çfarë është e bukura dhe pasi ta zgjidhnin çështjen e së madhërishmes. Por Buvari besonte gjithnjë e më pak tek este­tika.

Në kërkim të ideve të reja u njohën me utopistët si Sen Simoni që u predikonte publicistëve t’ia paraqisnin punimet e tyre një komuniteti industrialistësh ose si Lëruja që donte t’i detyronte me ligj qytetarët të dëgjonin me vëmendje një folës në podium.

Pasi u pajtuan disi, dolën në përfundimin se studimeve të tyre u mungonte një bazë si ekonomia politike, gjë që i nxiti të mësojnë mbi ofertën dhe kërkesën, qiradhënien, mbi impor­timin etj. Të gjitha këto i çuan personazhet tanë drejt trajtimit të çështjeve të koklavitura të përparimit. Ata nuk dyshonin fare mbi këtë në fushën shkencore, por në letërsi kjo u dukej më pak e qartë, nëse mirëqenia rritet, shkëlqimi poetik i jetës zhduket.

Por, nuk vazhdoi gjatë. Edhe përparimi për Buvarin ishte një broçkull e madhe, kurse politika, një fëlliqësirë e bukur. Nga frika e zhgënjimit të radhës, nuk donin të studionin më asgjë. Ishin gati të hiqnin dorë nga gjithçka. Humbën shpre­sën dhe, në mosmarrëveshje, ndryshe flisnin e ndryshe men­donin.

Befas, në mes të kësaj gjendjeje të turbullt, në kapitullin e shtatë të romanit, për dyshen e zhgënjyer kthehet koha e adoleshencës, ndjesitë si në rini, puthjet, kur gëlojnë ndjenjat plot pasion me intriga dashurie. Buvari po i vinte rrotull vejushës Bordë, kurse Pekysheja përpiqej të mbante fshehur sa më gjatë aventurën dashurore me bonjaken Meli. Por, si gjithmonë, këto histori shumë shpejt zvetënohen dhe ata dolën në përfundimin se femrat të shtyjnë në krime, në hero­izma dhe në marrëzi: “Ferri vetë brenda një fustani, parajsa vetë në një puthje!” etj. Një mendim i bashkoi: “Boll më me femrat. Le të jetojmë pa to!” Dhe ata u përqafuan me nga­shërim, vëren autori.

Për ta përmirësuar temperamentin, ata i hynë gjimnastikës me mjete rrethanore në natyrë dhe sapo trokiti vjeshta, iu vunë gjimnastikës së dhomës por, si gjithmonë, u bindën shpejt e në mënyrë përfundimtare se kjo nuk ishte për njerëz të moshës së tyre. Ndërkaq, fshehtazi, Buvari u zhyt i gjithi në studimin e magnetikës dhe hipnozës. Por, të dyve befas u shkrepi në kokë: “Si mund të bëhesh magjistar?”

Kaluan në filozofi, te materia dhe shpirti, bënë kërkime në shkrimet e Volterit, Fenelonit etj., madje edhe një abonim të plotë në një kabinet leximi si dhe blenë shumë leksione filo­zofie. Duke kërkuar metodën e duhur të përvetësimit, zgjo­dhën atë fiziologjike si më shkencoren. Vazhduan të merren me origjinën e ideve, dërdëllisnin të njëjtat argumente duke përçmuar mendimin e tjetrit pa u bindur aspak për të vetin. Ata arritën aq larg sa mohuan kohën, hapësirën dhe susta­ncën. Për ta, substancë e vërtetë ishte mendja, e cila shquan cilësitë. Buvari bëri zbulimin se kur bota të jetë zhdukur nuk do të ketë më prova për ekzistencën e Zotit.

Më tej shqyrtuan me hollësi çështjen e vetëvrasjes, llojin e vdekjes dhe, përfundimisht, si mund të vetëvareshin. Por, kur erdhi çasti final, në mes të të ftohtit, nën qiellin e zi si bojë shkrimi, shquan ca dritëza të vogla që i thërrisnin drejt një kishëze të ngrohtë, ku, pa e kuptuar, u përzien të dy në mes të turmës dhe “ndjenë një si agim të ri në shpirtrat e tyre të terratisur”.

Në kapitullin e nëntë u shkrep ideja për t’u marrë me lexime përshpirtjesh. “Ungjilli ua gufonte shpirtrat, i verbonte si një diell gjigand”. Nga takimet e shpeshta me priftin, ata huazuan sjelljen dhe gjestet e tij, gjë që i shkrinte në kënaqësi. Por, me kërkimet e tyre ata zbuluan kontradikta te Bibla, gjë që nuk i shërbente mbarëvajtjes së dogmës.

Sipas tyre, inkuizicioni s’linte mangët torturën, madje të digjte e të bënte shkrumb. Kështu filluan grindjet me abatin Zhëfri derisa u larguan fare prej tij duke e quajtur fenë si një nga kryeingranazhet e politikës. Shën Pali rekomandonte bindje të plotë ndaj zotërinjve ashtu si ndaj Krishtit, ndërsa Shën Ambrosi e quan robërinë një dhuratë nga Zoti. Këshilla e marrjes së shuplakave, duke i kthyer faqen tjetër dhe ta lësh veten të të zhvatin, nuk bën tjetër veçse inkurajon kaqolët, frikashët dhe qerratenjtë. Me këto argu­mente Pekyshe, i irrituar, deklaroi se do të konvertohej në budist.

Më tej të dy personazhet provuan t’i zbatojnë njohuritë e moralit në edukimin e dy vogëlushëve të mbetur pa prindër, Viktori e Viktorina, me dëshirën e mirë për ta bërë vogëlushen një zonjushë të vërtetë, kurse vëllanë e saj një gjeolog dhe topograf të zotin, por më pas u bindën se paskësh edhe të tilla natyra ku nuk pi ujë rëndësia e moralit dhe ku çdo formë e arsimimit dështon.

Dhe, megjithëse u mërzitën për vdekje, mendja dhe trupi u kërkonin punë. Dy optimistët e pandreqshëm i bënë vetes pyetjen: “Tekefundit, për çfarë shërbejnë dështimet?” Ajo që nuk funksionoi për fëmijët, pse të mos ishte më e lehtë për të rriturit? Ata menduan të hapnin një klasë për t’u dhënë mësim të rriturve dhe kështu të ngashëryer vazhduan rrugën e tyre…

Në këtë pikë romani ndërpritet papritur nga vdekja e autorit, por në shënimet për vazhdimësinë e tij, të gjetura më vonë, të dy bablokët akuzohen se kishin cenuar fenë, rendin publik, kishin nxitur revoltën e turmës etj. Pushtetarët kërkuan të çohen në qeli, të tjerë t’i linin të qetë nëse shfaqnin pendesë, dikush tjetër për t’i mbyllur në çmendinë. Kryekomunari ua mori nga duart dy fëmijët duke ua mohuar kujdestarinë dhe i katandisën në mes të lotëve, pa asnjë interes për jetën. Por një ide e fshehtë dhe e përbashkët i ngacmonte përbrenda, çojnë buzën në gaz dhe shprehen njëkohësisht: “Të kopjojmë si më parë”. Blerja e topave me letër, një tufë pendësh, bojë shkrimi etj., i kthen në realitet. Iu përveshën punës.

Siç shihet në këtë miniaturë, romani ka në themel aventu­rën, e trajtuar që nga antikiteti me “Odisenë” e Homerit dhe që kulmon në periudhën e ndritur të Rilindjes Evropiane me romanin “Don Kishoti i Mançës” të Servantesit.

Kritika letrare botërore prej kohësh ka përcaktuar si krye­vepër kanonike romanin e Servantesit “Don Kishoti i Mançës” dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë evropiane dhe amerikane. Një nga trashëgimtarët më të denjë, të cilët e çuan më lart artin e një metode dhe të një autoriteti të ri tregimtarie është, padyshim, Floberi. Për ndikimin e Ser­vantesit te ky autor Harold Bloom do të shprehej se “Zonja Bovari” mund të konsiderohet si “Zonja Don Kishot”. Por, kur flasim për klasifikimin e romanit “Buvar dhe Pekyshe”, shohim qartë se ai i largohet çdo forme të mëpar­shme të njohur të qasjes origjinale tallëse dhe shquhet për arsenalin e pafund të dijeve dhe, po aq, praktikave rrënuese të zbatimit të tyre.

Kritiku Pierre Chartier thekson se Floberi: “Ka përmbysur hierarkinë tradicionale të narracionit e të përshkrimit. Sepse ai e kishte më të lartë shqetësimin për stilin”; duke e konsideruar stilin “një mënyrë absolute për t’i vështruar gjërat” (“Hyrje në teoritë e mëdha të romanit”, 2015, f. 221).

Në këtë roman përshkrimi rrjedh në mënyrë përsëritëse me vëmendje këmbëngulëse për të paparashikueshmen, që do të ndodhë patjetër, por që pritet me ankth, për ndërprerjet e befasishme. Floberi krijon një realitet me dendësi të lartë artistike, më të lartën në letërsinë franceze që, siç shprehet Edmond de Gonkur, “të dhënë nëpërmjet stilit të një poeti”.

Personazhet kryesorë mëtojnë shumë dhe nuk arrijnë aspak pasi i ndjekin dështimet katastrofike në çdo hap. I gjithë sub­jekti është coptuar pafundësisht dhe ka kuptim duke mos pasur kuptim çfarëdo veprimi i papërgjegjshëm, pasi bëhet në funksion të përmbajtjes së romanit dhe i shërben qëllimit kryesor të autorit që, siç thekson biografi i tij Henri Troyat: “Ka qenë të kthejë në qesharake tërësinë e koncepteve që ushqejnë dhe drejtojnë jetën e bashkëkohësve të vet”.

Gi dë Mopasani e karakterizon këtë si “kritikë të mahnit­shme ndaj gjithë sistemeve shkencore që kundërshtojnë njëri-tjetrin, që shkatërrojnë njëri-tjetrin nëpërmjet kontradiktave të fakteve, kontradiktave të ligjeve të pranuara si të padiskutue­shme. Kjo është historia e dobësisë së inteligjencës njerëzore, të idiotizmit universal të përjetshëm”.

Për sa u tha më sipër, shpjegimin më të mirë për veprën e ka bërë vetë Floberi në letrën e 16 janarit 1852 ku shkruan: “Ajo që më duket bukur, ajo që do doja të bëja, është një libër për asgjënë, një libër pa lidhje me botën jashtë, i cili do të qën­dronte me vetveten nga forca e brendshme e stilit të tij, si toka që qëndron në ajër pa mbështetje, një libër që nuk do të kishte pothuajse subjekt ose, të paktën, subjekti i të cilit do të ishte i padukshëm, nëse një gjë e tillë mundet. Veprat më të bukura janë ato ku ka më pak lëndë: sa më shumë që shprehja afrohet me mendimin, aq më shumë fjala ngjit aty e zhduket, aq më e bukur është”.

Në këtë roman fjala bëhet përçuese e mendimit nëpërmjet vlerave estetike. Megjithëse personazhet janë humbës, fitues është lexuesi; ky i fundit pasurohet me dituri të gjithanshme, kënaqësi estetike nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, deri në fund të leximit.

Lidhur me artin e Floberit, Sabato dëshmon: “Floberi i lexonte të gjithë tekstet e tij me zë të lartë. Sikur t’i interesonte tingulli, jo pamja e fjalëve”, kurse për Borhesin, Floberi ishte një nga katër romancierët më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë tek ai (Dialogë Borges – Sabato, 2018, f. 35, 48).

Në hulumtimet për kanonin evropian, të ndërmarra nga 14 universitete evropiane, Floberi është i vetmi autor francez ndër 10 shkrimtarët e zgjedhur dhe një nga shtatë romansierët e preferuar. (Mariangela Lopopolo, “Çfarë është letërsia e krahasuar”, 2019, f. 113). Sipas Gerard Genette, Floberi na paraqitet në mënyrë të pakundërshtueshme si “i pari i shkrim­tarëve modernë”.

Me këtë roman Floberi realizoi ëndrrën e vet, ku veprimi zhvillohet në epokën e sundimit të Napoleonit III, duke pasuruar kështu në kohë e hapësirë Qarkun Letrar të Mesdhe­ut si trashëgimi letrare e identitetit evropian, një vepër ku humbës janë protagonistët, por fitues është gjithmonë lexuesi.

Kjo vepër madhore satirike e letërsisë botërore vjen e shpir­tëzuar në gjuhën shqipe tashmë si pjesë integrale e kulturës sonë kombëtare nga një prej talenteve më të spikatur të brezit të ri siç është Verjon Fasho, njohës i mirë i të dyja gjuhëve dhe kulturave, të një qytetërimi nga më të ndriturit siç është ai evropian.

Duke qenë se ai ka përkthyer në shqip edhe veprën “Poetika e ironisë” (Pierre Schoentjes, “Poetique de l’ironie”, 2001), si njohës i thelluar i teorisë dhe praktikës së saj, e ka pasur më të lehtë sjelljen në shqip të këtij romani gjenial.

Përveç punës me përkushtim, me fjalën dhe frazeologjinë, me ritmin, tingëllimin dhe frazën, ai ka sjellë një kontribut të jashtëzakonshëm me aparatin shkencor shpjegues (në fus­nota), për t’ia bërë më të qartë lexuesit tekstin dhe kontekstin e kësaj kryevepre, pulsin dhe frymëmarrjen e gjerë të saj.

(Marrë nga revista “Akademia”, nr. 8)

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia dhe protestuesit bullgarë u përleshën të mërkurën derisa parlamenti…