Bytyçi: Akademik Zajmi ishte intelektual në kuptimin e plotë të fjalës (video)

01 korrik 2023 | 16:13

Një dokumentar i realizuar nga autori Nuhi Bytyçi kushtuar akademik Gazmend Zajmit do të transmetohet në RTK1, këtë fundjavë në dy pjesë. Të shtunën transmetohet pjesa e parë, kurse të dielën pjesa e dytë e këtij dokumentari.

Autori i dokumentarit, Nuhi Bytyçi në emisionin e pasdites në RTK ka rrëfyer për punën e tij në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm prej 2 episodesh.

Bytyçi tha se akademik Gazmend Zajmi, padyshim është një ndër intelektualët më të shquar, figurë e veçantë e jetës dhe veprimtarisë publike, politike e shkencore shqiptare.

“Ai ishte intelektual në kuptimin e plotë të fjalës: Jurist, politolog i zgjuar, profesor i shquar, akademik, shkencëtar, publicist, poet e kompozitor. Pra, Gazmend Zajmi ka qenë figurë multidimensionale. Ai nuk ishte vetëm njeri i shkencave juridike e politike, por edhe filozof, edhe njeri i artit, muzikës dhe i kulturës në përgjithësi. Para së gjithash, ai ishte njeri i dijes dhe i progresit shoqëror. Si i tillë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të Kosovës”, tha Bytyçi në RTK.

Akademik Gazmend Zajmi, siç shprehet Bytyçi, përmes dokumentimit juridik, kushtetues e shkencor, ka arritur që ta argumentojë të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje, për shtet të pavarur e sovran.

Kështu sipas tij, ai demaskuar pretendimet e Serbisë se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë dhe se shqiptarët nuk kanë të drejtë të kenë dy shtete.

“Lirisht mund të themi se akademik Gazmend Zajmi ishte projektuesi teorik e juridik i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, i cili është bërë realitet më 17 shkurt 2008, pas shumë sakrificave të popullit të Kosovës, pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë dhe pas largimit përfundimtar të forcave dhe administratës serbe nga Kosova”, shtoi Bytyçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të shtunë në botën…