Bytyqi: Vendimi për ndalimin e telefonave rregullon mbarëvajtjen e procesit mësimor

30 nëntor 2018 | 16:08

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media ka folur të premten rreth vendimit që ka marrë një ditë më parë për ndalimin e përdorimit të telefonave mobil gjatë procesit mësimor nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve.

Ministri Bytyqi ka theksuar se qëllimi i këtij vendimi ka qenë që të rregullojmë mbarëvajtjen e mësimit nëpër shkolla.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë pas një analize që është bërë në MAShT. “Kemi pasur shumë sugjerime dhe vërejtje që na kanë ardhur qoftë nga prindërit, qoftë nga drejtorët e shkollave se po keqpërdoren shpesh telefonat celularë dhe po bëhen pengesë në mbarëvajtjen e mësimit”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka theksuar se për mënyrën dhe formën se si do të zbatohet ky vendim, (të cilin janë të detyruar ta zbatojnë Drejtoritë Komunale të Arsimit së bashku me drejtorët e shkollave), do të pasojë një Udhëzim Administrativ, i cili do t’ua lehtësojë punën për ta zbatuar këtë vendim.

“Ne mendojmë që gjatë muajit dhjetor do të qartësohen të gjitha gjërat, pra do të kemi të gjitha detajet, pastaj do të jenë të informuar të gjithë akterët e përfshirë”, ka deklaruar ministri Bytyqi, duke bërë me dije se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do ta luajnë edhe prindërit.

Ministri Bytyqi ka thënë se me këtë vendim dhe këto veprime, po e rrisim në një nivel më të lartë përgjegjësinë në shkollat tona, ndërsa ka theksuar se ndër të tjera, do të detyrohen shkollat përmes DKA-ve që të kenë një telefon zyrtar.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Instagram” është përditësuar dhe ka nxjerr opsionin e ri “Close…