Cakaj: Serbia nuk mund t’i zhbëjë krimet e kryera në Kosovë

09 dhjetor 2020 | 17:11

Në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka përkujtuar krimet dhe gjenocidin që ka kryer Serbia mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Cakaj ka thënë se Serbia jo që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryer, por ende është duke e mbajtur të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve nga lufta e fundit në Kosovë.

“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”, është thënë në reagimin e Cakajt.

Reagimi i plotë:

Sot, në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë e nderojmë çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë.

Natyrisht, sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë.

Fatkeqësisht, Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit.

Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë.

Përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Përkundrazi! Nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Historiani francez Serge Métais ka reaguar kundër Gjykatës Speciale me…