Cakolli thotë se LV-ja e ka barrën kryesore për krizën aktuale në Kosovë

30 maj 2025 | 11:56

Hulumtuesi në  Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka përgjegjësinë aktuale për krizën në vend.

Në këtë kontekst, Cakolli ka thënë se as opozita e deridjeshme nuk e ka luksin e papërgjegjësisë.

“Kur kërkim-llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik. Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje. PO, LV-ja e ka barrën kryesore në krizën aktuale. Këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht! Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë”.

“Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është ‘monopol’ i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale. Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban. Qasja ‘JO për të gjithë’ nuk është as parimore, as e drejtë. Është thjesht pengesë për ecjen përpara. Nëse askush nuk ndryshon qasje, edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë. Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër Duhanit, Ministria…