CEFTA dëmtoi bizneset e Kosovës

22 janar 2018 | 10:31

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë kanë vlerësuar se marrëveshja e CEFTA-s është analizuar nga dimensioni politik dhe pa një analizë të mirëfilltë ekonomike. Prandaj, sipas tyre, kjo marrëveshje ishte në disfavor të bizneseve të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se marrëveshja e CAFTA-s më shumë ka qenë e analizuar nga dimensioni politik sesa nga ai ekonomik.

“Sa i përket CEFTA-s, kohët e fundit ka polemika, por duhet të kuptohet se për Kosovën marrëveshja e CEFTA-s ka qenë shumë më tepër e analizuar nga dimensioni politik sesa nga ai ekonomik. Është e vërtetë se në emër të Kosovës ka nënshkruar shtylla e IV-të e UNMIK-ut, por është shumë interesante mos të mendohet se iniciativat rajonale janë shkopinj magjikë për t’i zgjedhur problemet tona. Vërtet duhet një mbështetje më e madhe e sektorit privat. Duhet të jemi të barabartë në këto iniciativa. Kosova që nga dita e parë nuk ka qenë kurrë e barabartë në këtë iniciativë. Këtë e them duke u bazuar në faktin se për të qenë të barabartë duhet të kesh mundësi të lëvizësh lirë si qytetar, por edhe mallrat që prodhon vendi yt të qarkullojnë lirshëm. Këtë nuk e kishim as me Serbinë e as me Bosnjën. Atëherë si mund të jesh në funksion të zhvillimit dhe të barazisë në treg nëse s’je i barabartë”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, ky është një gabim apo dështim politik i Kosovës. “Dua të besoj se në të ardhmen, qoftë në CEFTA plus, qoftë me propozime të ndryshme për hapësira rajonale, do të bëhet ekspertizë shkencore. Po ashtu, dua të besoj se do ta depolitizojmë këtë proces në mënyrë që Kosova të jetë e barabartë, përndryshe prania në këto iniciativa, duke mos qenë të barabartë qysh në fillim, është një paragjykim për dështim. Në procese integruese nuk ekziston fjala jo, por duhet ta kemi parasysh përgatitjen profesionale, të kemi alternativa dhe të jemi të barabartë. Na duhen ekspertë të fushës, e jo të kemi një administratë publike të stërngarkuar, me të punësuar më tepër të partive politike sesa me profesionistë, më tepër duke i mbrojtur interesat e grupeve të caktuara sesa të shtetit. Duhet të mësohet një fenomen, që interesat e shtetit janë më të mëdha sesa të grupeve politike”, ka thënë ai.

I pyetur se a mund të kemi masa penalizuese nëse dalim nga CEFTA, Gërxhaliu ka thënë se do të ishte utopike nëse mendohet të dilet nga kjo organizatë, sidomos tani kur jemi në prag të agjendave integruese evropiane. “Vetë fakti se jemi në kohën kur dominon agjenda politike dhe Procesi i Berlinit dhe kur jemi në negocim për agjendën për zgjerim, që besoj se do të jetë në vitin 2025 dhe vetë fakti se në Bruksel janë hapur debate rreth rajonalizimit ose përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për integrim, është utopike të flitet për dalje, mirëpo duhet këmbëngulje, alternativë dhe duhet një konkretizim i bazuar në sundim të rendit dhe ligjit dhe në përgatitje profesionale të njerëzve që e përfaqësojnë Kosovën. Nuk duhet të humbim kohë duke kërkuar arsye për dështim. Është koha të gjendet rrugë për të dalë nga dështimi. Besoj se në këtë drejtim fjala largim nga CEFTA i takon së kaluarës, pasi në këtë drejtim Kosova nuk duhet gjeneruar politikë refuzuese, por politikë integruese, gjithmonë të barabartë me të tjerët”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Ismet Mulaj, ka thënë se juridikisht mund të negociohet dalja e vendit tonë nga CEFTA, pasi përfaqësohet nga UNMIK-u.

“Ne i kemi propozuar Qeverisë së Kosovës ta ndryshojë statusin e pjesëmarrjes që të jemi anëtarë të CEFTA-s jo përmes UNMIK-ut, por përmes Kosovës. Ministri (Hasan Bajrami, ministër i MTI-së) doli me një qëndrim që do të angazhohen që ta ndryshojnë statusin juridik të pjesëmarrjes në CEFTA, por nuk e di se çfarë kanë bërë më tutje”, ka thënë Mulaj për gazetën “Epoka e re”.

Në këtë kontekst, Mulaj ka thënë se mund të ndryshohet statusi i përfaqësimit të Kosovë në CEFTA. “Ka një studim nga një prej juristëve më të mirë të Kosovës, që është Robert Muharremi. Ai ka treguar mënyrën se si mund të bëhet ky ndryshim. Kërkesa jonë ka ardhur si pasojë e debalancës së lartë tregtare”, është shprehur Mulaj.

Më tutje, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaçi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo ministri është duke zbatuar qasjen proaktive dhe të përfaqësimit të shtetit tonë si palë e barabartë me të drejta dhe obligime, përfshirë këtu edhe kryesimin e Kosovës në CEFTA. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka në qasjen e vet përfaqësimin e Kosovës si partnere e barabartë në takimet, forumet regjionale dhe ndërkombëtare. Andaj, ne si ministri jemi duke zbatuar qasjen proaktive dhe të përfaqësimit të shtetit tonë si palë e barabartë me të drejta dhe obligime, përfshirë këtu edhe kryesimin e Kosovës në CEFTA”, ka thënë Thaçi.

Krejt në fund, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë se prodhuesit vendorë dhe eksportuesit e Kosovës janë sfiduar nga CEFTA. Ai ka deklaruar se kjo marrëveshje nuk ka qenë e favorshme për prodhuesit vendorë. “Ju e dini debalancën e lartë tregtare me të cilin përballemi prej vitesh dhe kjo marrëveshje më tepër ka qenë e analizuar nga dimensioni politik sesa ai ekonomik. Por, tani institucionet tona duhet të mendojnë për MSA-në meqë është treg më i gjerë dhe CEFTA më tepër i takon së kaluarës”, ka thënë Hasani për gazetën “Epoka e re”.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i rrethanave politike në vend, Belul Beqaj, e ka…