Çekia kthehet në izolim, për shkak të shifrave rekorde me Covid-19

21 tetor 2020 | 15:02

Qeveria e Republikës Çeke ka miratuar një sërë masash që e izolojnë vendin, i cili po përballet me shifra rekorde të rasteve me Covid-19.

Kryeministri Andrej Babis ka thënë në një konferencë për media të mërkurën se masat, që do t’i mbyllin të gjitha dyqanet jo të domosdoshme dhe do ta kufizojnë lëvizjen e njerëzve vetëm për qëllime të domosdoshme, si puna, familja apo blerja e ushqimeve, do të zgjasin së paku deri më 3 nëntor.

“Para së gjithash, ne duhet t’i mbrojmë jetët e qytetarëve”, ka deklaruar Babis, për të shtuar se masat do të hyjnë në fuqi nga data 22 tetor.

Vendimi vjen pasi Çekia njoftoi të mërkurën se në 24 orët e kaluara ka regjistruar 11,984 raste të reja me Covid-19, shifër kjo rekorde.

Ministri i Shëndetësisë, Roman Prymula, ka pohuar se parashikimet tregojnë se numri i rasteve të reja ka të ngjarë të arrijë kulmin rreth datës 11 nëntor.

Të mërkurën, zëvendëskryeministri çek, Jan Hamacek, i cili është po ashtu ministër i Brendshëm dhe udhëheqës i shtabit të krizave, që koordinon përpjekjet logjistike për të luftuar pandeminë, njoftoi se ka dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Republika Çeke, vend me 10.7 milionë banorë, ka konfirmuar në total mbi 190,000 raste me Covid-19, mbi 120,000 prej tyre vetëm gjatë tri javëve të para të tetorit.

Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara të mërkurën, tregojnë se numri i viktimave nga Covid në Çeki është rritur për 106, përkatësisht në 1,619, në 24 orët e kaluara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valon Gashi është diagnostifikuar me leukemi akute dhe ka nevojë…