Çelaj takon ambasadori Kelly, kërkon mbështetjen e Irlandës

05 dhjetor 2018 | 15:54

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly, me të cilin ka diskutuar për padrejtësinë e mosliberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës, të arriturat dhe sfidat e procesit integrues.

Çelaj ka falënderuar ambasadorin irlandez për votimin pro Kosovës në Parlamentin Evropian dhe Interpol, duke e njohur atë me realizimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jemi të dëshpëruar për mos liberalizimin e vizave. Megjithatë, ne jemi të angazhuar fuqimisht për procesin integrues. Për këtë proces, kemi konsensus nacional, duke zbatuar me prioritet Agjendën e Reformave Evropiane si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, ka theksuar Çelaj, duke shtuar se nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit me vlerat evropiane.

Ai ka thënë se lëvizja e lirë është vlerë të cilën qytetarët tanë duhet ta disponojnë, në veçanti është e rëndësishme për të rinjtë tanë.

Çelaj ka vënë në dukje rreziqet që sjell izolimi për të rinjtë tanë dhe mundësia e ndikimit negativ të fuqive globale të cilat në të kaluarën ishin jomiqësore me rajonin.

Kurse ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, realizimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi si dhe perspektivën integruese për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka theksuar se ndryshimet që priten të ndodhin vitin tjetër në institucionet evropiane mund të sjellin vështirësi, megjithëse Kelly ka ritheksuar se Irlanda e mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, integrimin në organizatat ndërkombëtare si dhe proceset integruese, duke vënë në pah ndryshimet e jashtëzakonshme pozitive që solli procesi integrues për vendin e tij.

Në këtë takim është theksuar po ashtu rëndësia e dialogut, fqinjësia e mirë dhe zgjidhjet me interes të përbashkët dhe rajonin.

Po ashtu është vlerësuar lartë bashkëpunimi i deritashëm Kosovë-Irlandë si dhe gatishmëria e thellimit të këtij bashkëpunimi, duke u pajtuar se Kosova mund të marrë disa nga përvojat integruese nga ky vendi mik, i cili është ndër vendet me cilësinë më të lartë të jetës në Bashkimin Evropian.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Burim Ramadani,…