Çështja e pragut nuk është problem për Nismën

06 janar 2021 | 10:18

Anëtari i kryesisë i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka deklaruar që, sipas të gjitha gjasave, kjo parti do të shkojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

Ai ka thënë se këtë po e determinojnë zhvillimet e fundit politike.

“Sipas zhvillimeve që janë duke ndodhur ditët e fundit, Nisma Socialdemokrate 99.9 për qind do të hyjë si subjekt i vetëm në zgjedhje”, ka thënë Berisha për “Epokën e re”.

Sipas tij, Nisma asnjëherë s’ka qenë më e gatshme për zgjedhje sesa tani.

“Nisma Socialdemokrate kurrë më e gatshme për zgjedhje nuk ka qenë. Ne kemi qenë në organizim e sipër të kuvendeve zgjedhore, sepse në bazë të rrethanave politike ne kemi pasur paralajmërim që së shpejti do të shkohet në zgjedhje. Kështu që për ne, zgjedhjet nuk kanë qenë befasi”, është shprehur Zafir Berisha.

“Pas analizave që i kemi bërë, çështja e pragut nuk është problem për Nismën. Ne jemi fokusuar drejt objektivit tonë që synojmë ta realizojmë në këto zgjedhje”, ka pohuar Berisha.

Ai ka treguar se për koalicion me PDK-në nuk kanë folur pas aktgjykimit të Kushtetueses.

Sipas tij, Nisma nuk do ta pretë PDK-në dhe asnjë parti tjetër. “Nuk kemi biseduar tani. Bisedat kanë qenë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, kemi biseduar në këtë frymë sepse është ditur që së shpejti do të ketë zgjedhje. Ndërsa tani, siç po shihet, PDK-ja e ka problemin e brendshëm. Pra, e ka një ‘humbje të rrugës’ brenda oborrit të vet”, ka deklaruar Berisha.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Spitalin e Pejës aktualisht janë duke u trajtuar 69…