Çështja jonë kombëtare, në tezgat e shitjes së Bashkimit Evropian

23 tetor 2020 | 16:38

Shkruan: Ylli Mece

Nuk mund të gjesh sot në historinë europiane komb si ky i yni, i cili është nëpërkëmbur vazhdimisht nga Europa dhe shpesh herë, është bërë pjesë e kënaqësisë dhe orekseve shoviniste të fqinjëve, teksa në kohët e sotme moderne, ngeli përsëri si një “objekt rregullator” për ruajtjen e balancave midis Europës dhe Rusisë. Europa mosmirënjohëse ndaj shpirtit bujar dhe luftarak të shqiptarit, e pati harruar shumë shpejt, se falë luftës së luftëtarëve shqiptarë me në krye Skënderbeun, për gati një çerek shekulli i dhanë një ndihmesë të madhe asaj, duke i ruajtur qytetërimin nga invazioni turk. Por ja që Europa, është jo vetëm mosmirënjohëse, por ajo ende ruan po atë mentalitet të vjetër, që Shqipërinë e konsiderojnë ende si plaçkë tregut të tyre, të vendosur në tezgë për shitje. Kësaj ideje i ka shkuar dhe vazhdojnë t’i shkojnë nga mbas, pothuajse e gjithë superstruktura drejtuese shtetërore e mbas viteve ‘90-të, sikurse edhe pjesa e ndarë e saj Kosova, (kjo fundit mbas viteve ‘99-të). Pa u futur në bëmat e saj të ndyra, sikurse janë qëndrimet e Otto Bismarkut më 1878, i cili e injoronte Shqipërinë, të “Konferencës së Ambasadorëve” të Londrës më 1913 që na copëtoi dhe atë të Londrës së dytë po më 1915, e cila desh na fshiu dhe nga harta, pse jo dhe atë të Parisit më 1946 që vinte në pozita diskriminuese delegacionin shqiptar, duhet madje është me vend të theksohet, se edhe mbas të ashtuquajturës “Vendosje e demokracisë” apo dhe Luftës Çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës për t’u shkëputur nga robëria e shovinizmit serb, kjo, pikërisht kjo Europë ngeli po aq reaksionare si dikur, pse jo edhe më e egër se më parë. Ajo pranoi Shqipërinë në NATO, duke e çarmatosur atë krejtësisht dhe mbrojtjen e saj jua u la në dorë Greqisë dhe Italisë si anëtare të këtij blloku agresiv. Qëllimi i Europës nuk ishte përkrahja apo marrja “nën sqetull” dhe mbrojtja e shqiptarëve, por thjesht shtyrja e kufijve të vet strategjikë drejt Lindjes dhe dobësimin e influencës së Rusisë në këto vende, sikurse ishin dikur Shqipëria, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Ukraina etj. Por Europa nuk është aq idiote edhe pse brenda për brenda saj brehet nga kontradikta të thella me vendet e mëdha industrialiste të saj, se kush do të jetë “violinë e parë” dhe drejtuese “de facto” e BE, Franca, Gjermania apo Anglia? (Nga ku kjo e fundit pikërisht për këto arsye doli prej BE-je). Ajo me cinizmin diskriminues ndaj popujve të vegjël, injoron madje shkel me të dy këmbët dhe vetë aktet e saj të mëdha sikurse është ajo e “Respektimit të dëshirave dhe vetëvendosjes së popujve për të ardhmen e tyre, akt ky, që ishte firmosur qysh në bordin e anijes luftarake “Anchorage” në gushtin e vitit 1941 që në histori njihet dhe me emrin “Karta e Atlantikut”. Nëpërkëmbja e kësaj karte nuk është bërë asnjë herë dhe kurrë nga popujt, por nga vetë imperializmi dhe natyra e tij. Në shumë raste, deklaratat, aktet e mossulmimit, dekretet mbi të drejtat e njeriut, në imperializëm janë e do të ngelen maska jo vetëm për të fshehur qëllimin e vërtetë, por edhe për të nanurisur e vënë në gjumë popujt sepse janë pikërisht vetë ata, që i shkelin me ty dy këmbët, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Shembull tipik është gjysmë kombi i mbetur dhe i lënë qëllimisht jashtë kombit tonë. Aq e furishme ishte kjo egërsi e tyre, sa që Europa me gojën megafon të Dik Marty-it, deklaronte se çlirimtarët e UÇK-së ishin terroristë. Do të duhej ndërhyrja e herëpashershme e ballë për ballë e legjendës Demaçi, duke jua u përplasur në fytyrë zuzarëve europianë, se luftëtarët shqiptarë nuk ishin terroristë, por çlirimtarë. Por fatkeqësisht “bacën” nuk e dëgjoi as Europa, madje as dhe vetë Shqipëria. Sigurisht, Europa me këtë tentativë, donte që dhe ne shqiptarët të vendoseshim në të njëjtën peshore me barbaritë e pushtuesve serbë, duke përkëdhelur me këtë rast Serbinë dhe aleatin e tyre historikisht mbështetës, Rusinë e carëve të rinj të Kremlinit. Vallë, të mos e dinin Europa dhe Amerika se shqiptarët e Dardanisë e thënë ndryshe, të Kosovës, janë vazhdimësi e një bashkësie të qëndrueshme masive njerëzish, të cilët janë formuar historikisht në rrugën e tyre e që i lidh pazgjidhshmërisht, gjuha, territori, jeta ekonomike, social- kulturore, doket, zakonet e traditat e njëjta? Sigurisht që e dinin, por ata vepruan ashtu sikurse veproi dhe Titoja më 1946, kur ju shpreh Enver Hoxhës se: “Po Enver e dimë që Kosova është shqiptare, por tash për tash nuk do t’jua u japim, sepse reaksioni serb është shumë i madh”. A nuk na lind e drejta në këtë rast të mendojmë se dhe vetë Europa, qenka në një linjë me Titon, madje më keq nuk mund të bëhej, kur ajo u dhuroi pjesës së pabashkuar dhe një palo flamur, i cili jo vetëm se nuk është pagëzuar me gjak në fushën e betejave, por është dhe një ofezë e madhe jo vetëm për Kosovën, por dhe për vetë Shqipërinë?! Mirë Europa që dihet se sa “dashuri të madhe” ka për Shqipërinë dhe shqiptarët (si Duçja që e kishte në zemër), po ish-drejtuesit politikë e ushtarakë, sikurse dhe kasta drejtuese përkëtej Shqipërisë, në bashkëpunim me forcat çlirimtare dhe popujt tanë të përbashkët përse nuk e shpallën në mënyrë të menjëhershme mbas çlirimit, bashkimin me Shqipërinë? Ata jo vetëm se nuk e bënë këtë gjë, por pritën me madhështi organizmat si KFOR e EULEX, po organizma të tjera të dyshimta, të cilët në vend që të instaloheshin në vendin i cili ishte kërcënues për paqen, u vendosën në vendin paqësor. Po çfarë do të ruanin në Kosovën e lirë e të çliruar? Sigurisht, ata qëndronin aty për të treguar se lirinë luftëtarëve dhe popullit tonë të krahinës së Kosovës jua u dha Europa dhe Amerika e kështu që për rrjedhojë, tashmë do të jenë ata, (europianët) që të mendojnë për shqiptarët e Kosovës dhe për Shqipërinë. EULEX-i (edhe pse lufta kishte 9 vite që kishte mbarur), shkoi në Kosovë për të ndihmuar ngritjen e organizmave dhe institucioneve të akuzës dhe të drejtësisë, aktualisht ka marrë kompetenca ekzekutive, për të survejuar, ndjekur dhe çuar në bankën te ë akuzuarve “kriminelët shqiptarë” të Kosovës, të cilët na paskëshin bërë krime të mëdha, kur drejtonin formacionet luftarake të UÇK-së. Në fakt mirë na e bëjnë, sepse luftëtarët trima të dikurshëm, të nesërmen e çlirimit, jo vetëm se e tradhtuan gjysmën e betimit ushtarak, i cili bënte fjalë se do të bashkonin Kosovën me Shqipërinë amë, por nuk arritën dot as në lartësinë e Isa Boletinit, i cili në mes të pallatit londinez, u fut i armatosur pa i pyetur aspak. Pse fillimisht kur shqiptarët dardanë vendosën të fillonin luftën mos vallë i morën leje Europës? Kjo ishte vetëm njëra anë e gjysmës shqiptare, teksa gjysma mëmë (Shqipëria) as që kishte mendjen te Çështja Kombëtare. Ajo ishte tejet e zënë duke u marrë me anatemimin e socializmit dhe çmontimin e ideologjisë së Enver Hoxhës, madje dhe në kohën e luftës, ajo, si një qaramane e neveritur, u ankohej europianëve se “Serbia e pa besë” po na bombardon dhe Kukësin. Doemos, që dhe Europa e cila “na ka dashur e na do të mirën”, i porosiste të ruhej qetësia, duke bërë politikë të madhe rajonale, për mos përhapjen e konfliktit dhe porosiste nga Brukseli apo Rambujeja, që vëllezërit e Shqipërisë ta shikonin dhe ndiqnin luftën e vëllezërve të tyre prej Morine, me ato pak dylbi ushtarake, që kishin ngelur pa u vjedhur ende. Dhe ne ndërkohë rrihnim gjoksin se “hapëm dyert dhe strehuam në kohë vështirësie, vëllezërit tanë të një gjaku”. Goxha trimëri kemi bërë, sikur të ishim në kushtet e Italisë, e cila pret e përcjell refugjatët afrikanë e mandej i shpërndan ata nëpër Europë! Kjo tregon, se nëse nuk kapet vlerësohet dhe për më keq akoma, kur në momentin më të përshtatshëm nuk vlerësohet si duhet, por digjet etapa dhe duke mos e marrë vetë në dorë fatin tonë, atëherë doemos që me çështjen tonë kombëtare dhe me zgjidhjen e saj do të merreshin të huajt. Në fakt, u vërtetua aksioma filozofike se në kapitalizëm çështja kombëtare shikohet mbi baza klasore. Kapitalistët e rinj shqiptarë si përkëtej, ashtu dhe matanë kufirit (Kosovë), duke qenë se e kanë formuar shtresën dhe fizionominë borgjeze me pasuritë mbi mundin, gjakun dhe djersën e shtresës që sundojnë, janë fare pak të interesuar për zgjidhjen drejt të kësaj çështje. Në çdo hap të tyre, llogaritet fitimi dhe as që duan t’ia dinë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ecejaket nëpër kancelaritë europiane, gjestet e thurjes me duar të shqiponjës, vendosja e dorës dhe rrahja e saj mbi zemër, përkulja në gjunjë para flamurit, janë maska që shiten për atdhedashuri, teksa ne kemi përjetuar dramat e vëllavrasjes, të nxjerrjes në treg për “një Eu” të shqipes, të teorive te reciprocitetit dhe shkëmbimit të territoreve, pazarllëqet me tokën amë, nën maskën e krijimit të një klime të re në Ballkanin me minifund (më falni ishte lapsus – desha të them me “minishengen”) sikurse dhe së fundmi pazarllëqet reciproke për shit-blerjen e detit, a nuk janë të barasvlershme me aktet e Esat Pashë Toptanit dhe Ahmet Zogut që e tregtonin Shqipërinë me kandar dore te fqinjët? Kush jua u jep të drejtën qeveritarëve jo vetëm të djeshëm, me “Sali efendinë”, por dhe të i sotëm si “Herr Ram”-ën, që për një hapje negociatash, apo për heqjen e një “ligji lufte” me Greqinë, të falë detin që është pjesë e tërësisë sonë territoriale (madje tredimensionale sepse Greqia mbas kësaj do të ushtrojë sovranitetin në det, nën det dhe mbi sipërfaqen ajrore që mbulon këtë det). A nuk do të ishte më mirë që grekët le të mbajnë ligjin e luftës se sa pa luftë të na marrin detin?
Zotërinj ambasadorë londinezë, parisianë, berlinezë apo bajgë e sëmës!
Përpara se të bashkohemi me Europën, a nuk do ishte më mirë që shqiptarët të jenë të gjithë të bashkuar në një komb?! Ndarja dhe mos bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk na shërben ne – por armiqve tanë të cilët i kemi përreth, në mos qofshi dhe ju vetë. Dhe në qofshi ju, për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë që paraqitni, duhet me çdo kusht të bashkohemi vetë. Rrugë të mesme nuk ka. Dhe po qe e nuk e bëjmë fajtorë nuk jeni më ju, por ne!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të premten është mbajtur…