Çfarë deklaroi Thaçi në vitin 2020 për Konferencën e Rambujesë
“Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten. Pas negociatave rraskapitëse, tri javore, delegacioni ynë i ofroi bashkësisë ndërkombëtare pajtueshmëri në parim për marrëveshjen e negociuar. Shteti i Serbisë, paralelisht me gjenocidin që kryente në Kosovë, refuzoi mundësitë për arritjen e marrëveshjes për paqe. Pas konsultimeve dhe marrjes së pëlqimit nga populli i Kosovës, marrëveshja në mes palës kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare zyrtarisht u nënshkrua në muajin mars, në Paris. Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor. Pas kësaj ndodhi intervenimi i NATO-s dhe fituam lirinë, para se të bëhemi shtet. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë. Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë”.
Hashim Thaçi, 2020



