Çfarë kërkon Evropa nëpërmjet zotëri Martyt? (9)

17 korrik 2020 | 10:34

Shkruan: Kudusi Lama

Çfarë kërkon zotëri Marty? Ai ka mundësi të jetë edhe i drejtë, por nuk ka dëshirë të jetë i tillë. Nuk dua të besoj se ai është politikan laboratori, që nuk kupton se si lëviz shoqëria njerëzore jashtë laboratorit të tij. Nuk kanë humbur vetëm serbë, kanë humbur dhjetë mijë herë më shumë shqiptarë. Siç duket, shqiptarët e humbur serbët i kanë marrë për t’ua ngrënë mishin e bluar kockat. E kjo nuk është problem për zotërin Marty, ndërsa shqiptarët i paskan marrë për t’ua grabitur disa organe jetësore. Kjo është shumë problem për zotërinë Marty. Çuditë nuk kanë të sosur. Sa mbaron një çudi, lind një e dytë.
Ka mundësi që nëse do të dalë edhe pas 50 vjetësh se dikush bën një veprimtari të paligjshme, do t’ia lidhin kokën në kohën e luftës. Kështu ndodhi edhe me një të quajtur klinika “Medikus” në Prishtinë, që doli diku nga viti 2008, se ishte krijuar për transplantime dhe kishte brenda punës së vet veprimtari kriminale, ku u aludua se udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës duhet të ishin njohur “patjetër” me pronarët e kësaj klinike që në kohën e luftës në mënyrë të fshehtë. Këto janë absurditete, që me të drejtë duhet të përbuzen e nuk duhet të merremi me ta. Por, ja që po na bëjnë dëm kombëtarisht e po na krijojnë probleme në arenën ndërkombëtare e kombëtare. Për këtë, duhet të ndalemi e t’i analizojmë këto ndodhi, për ta sqaruar sadopak opinionin për të vërtetën e këtij akti.
Duke shfletuar lajmet e kohës, pas daljes publike të raportit të Dick Martyt, kam lexuar se: “Gjykatësi i Bashkimit Evropian, Victor Paradal, ka kryesuar të enjten seancën dëgjimore për konfirmimin e akuzave të ngritura kundër shtatë kosovarëve, të dyshuar se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore.
Në seancën që u mbajt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prokurori i BE-së, Jonathan Ratel, ka thënë se “njerëz të varfër ishin sjellë në Kosovë nga vendet e jashtme, me premtime të rrejshme për të marrë pagesa për veshkat e tyre, organe këto të cilat pastaj u janë shitur pranuesve për transplantime të paligjshme”.
Ratel ka thënë se mjeku turk Yusuf Sonmez “ka qenë i përfshirë dhe është pjesëmarrësi kyç në operacionet” që janë bërë në një klinikë private në periferi të Prishtinës, e cila mban emrin “Medicus”.
Marrë në internet (http://www.telegrafi.com/?id=2&a=12208)
Është interesant fakti që nëse ka një veprimtari të tillë antiligjore, në Kosovë, siç ka edhe në gjithë vendet e tjera të Evropës e të botës, pse duhet të dilet politikisht në përfundime që nuk dilet juridikisht? A mban përgjegjësi ky njeri për atë që ka thënë? Si mund të vihet në bankën e akuzës ky njeri që mashtron duke hedhur baltë mbi një komb të tërë e gjithë historinë e tij?
Çfarë kërkon zoti Marty? A ka ai ndonjë farë ndjenje për vlerën e shqiptarëve? Çfarë ka studiuar deri tani për shqiptarët dhe historinë e tyre? A ka gjetur ky zotëri në kërkimet e tij që luftëtarët e UÇK-së të kenë vrarë ose zhdukur fëmijë, gra, pleq e plaka, të sëmurë nëpër spitale, qytetarë në rrugë etj? Po, janë vrarë ushtarë, pra janë vrarë burra, lufta zotëri Marty bëhet nga burrat e ata në luftë edhe vriten. Në luftë nuk bëhet dashuri, aty vriten njerëz luftëtarë në të dy anët e frontit.
Unë e di se Serbia është në agresion të pandërprerë kundër Kosovës e gjithë trojeve shqiptare. Por, pse, zotëri Marty të jetë luftëtar i këtij agresioni, këtë unë nuk arrij ta kuptoj.
Thuhet që le të hapet debat për këtë temë, mirë është, sepse do të ndërgjegjësoheshin ata që duan të ndërgjegjësohen se kjo shpifje është e pavërtetë. Ne jemi shqiptarë, edhe atë që na ka vrarë djalin e vetëm kur na ka ardhur në shtëpi e kemi marrë në mbrojtje. Kurrë nuk ka ndodhur ndër shqiptarë me marrë njerëz të gjallë, sado armiq e me i vra tinëzisht në shtëpinë tonë e në tokën tonë. Ky është një akt ligjor-zakonor që prej lashtësisë për shqiptarët. Edhe pa dashje kur ka vrarë një njeri në shtëpi të vet, shqiptari e ka braktisur atë shtëpi se nuk ka jetuar dot bashkë me gjakun e njeriut të derdhur në vatrën e tij. Ndërsa sot jemi nën vlerësimet e zotëri Martyt që po na ngatërron, po na ndynë, po na akuzon, për të përbaltur jo vetëm një fragment historik lavdie kombëtare, por gjithë traditën e këtij kombi.
Kjo çështje dihet që do të hulumtohet dhe do të kërkohet ballafaqimi me argumente për ta vërtetuar akuzën. Dhe shqiptarët institucionalisht janë deklaruar si popull i qytetëruar, se janë të gatshëm t’i nënshtrohen çdo hetimi ndërkombëtar. Për këtë edhe pa hezitim u pranua edhe ajo gjykatë ndërkombëtare që ka për mision ta njollosë UÇK-në. Por, a do të përfillen argumentet? Mbetet të shihet. Megjithatë shqiptarët duhet të kenë bindjen se djemtë e Luftës së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, sado të akuzohen do të dalin të pafajshëm, gjykata dhe të gjithë ata që fshihen pas saj do ta njollosin veten. Askush nuk do të mund të na nëpërkëmbë zakonet tona që na kanë sjellë udhëve të shekujve krenarë.
Megjithëse zakonisht, praktika ka treguar se sado që të ketë të vërteta, shpifja, në opinionin e gjerë publik dhe politik, është shumë e fuqishme. Ajo nuk shlyhet lehtë në opinion, pavarësisht se shlyhet ligjërisht. Ka raste kur një individ vihet nën akuzë si terrorist, por faktet tregojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me akuzën e ngritur. Gjykata i jep pafajësinë, mund të marrë edhe dëmshpërblime, por në opinionin publik dhe politik ai mbetet një “terrorist”, a këtë po tentojnë të arrijnë akuzuesit me të akuzuarit prej tyre të luftëtarëve të UÇK-së? Më duket se po.
Po duhet ditur se, kur bëhet fjalë për përmasa të tilla, ku luhet me historinë e një kombi? Këtu çështja është shumë delikate. Këtu përpjekja duhet të jetë maksimale e të gjithë shqiptarëve për të vërtetën dhe të drejtën, pasi akuzuesit shkojnë me mendimin se: as që mund të mendohet, se do të ketë një pastrim të këtyre situatave, të mbingarkuara politikisht me shpifje nga më të rëndat, që i bëri me raportin e tij famëkeq zotëri Marty në emër të Evropës.
Zotëri Marty e ka ditur shumë mirë, se sido që të vijë puna, shpifjet e tij do të mbeten në agjendë të politikës evropiane për këtë periudhë të gjatë. Për këtë edhe lind pyetja: çfarë kërkonte të arrinte zotëri Marty? Një pyetje që as prej këtij zotërie vetë nuk mund të marrë përgjigje morale. Ajo mund të marrë vetëm një përgjigje të pa moralshme, që ka të bëjë me justifikime, apo shprehje dashurie për shqiptarët siç ka bërë edhe ky zotëri, për hatër të të cilëve është i gatshëm të bëjë sakrificën më të madhe e të përpiqet t’u njollosë historinë e t’u nëpërkëmbë lavdinë.
Qëllimi im nuk është t’i mbushi mendjen botës se zotëri Marty shpifi. Se këtë ata e dinë shumë mirë të gjithë. Por t’u them shqiptarëve që të mos vazhdojnë të marrin ngarkesa të tilla morale nga njerëz të tillë, që kanë marrë përsipër të bëjnë rolin e megafonit të armikut, megafonit të Serbisë, në kushtet e pasluftës, kur asaj i duhet më shumë se kurrë.
Por shqiptarët duhet të kenë një bindje që koha do ta vërtetojë kur kjo gjykatë të dështojë. Kjo bindje duhet të jetë që: periudha e krenarisë së tyre, epopeja e UÇK-së, është e dëlirë. Për këtë duhet të kenë bindje. Koha do ta vërtetojë këtë që u them.
Dihet që Serbia ka për qëllim të bëjë propagandë të shfrenuar për formimin e opinionit sa më negativ ndërkombëtar për shqiptarët dhe gjithë historinë dhe veprimtarinë e tyre. Dihet që të gjitha fajet e saj kërkon t’i eksportojë tek shqiptarët. Por kemi një histori të freskët krimesh të tyre, që është e dukshme për të gjithë ata që kanë sy e veshë. Pse pra nuk kanë dëshirë të shikojnë e të dëgjojnë të gjithë ata organe e organizata ndërkombëtare që kanë fuqi të marrim vendime, që ngrenë në këmbë një kundër shqiptarë të deklaruar si zotëri Marty? Çfarë kërkon ai kur të gjithë e njohin kundër shqiptarizmin e tij? Ku ka dëshirë të arrijë? A mos me ndërgjegje i bën deklarata të tilla? Nëse është kjo e fundit, ai meriton t’i kërkohet llogari. Realisht të tjerët si zoti Marty me akuza e shpifje, ndërsa ne me qytetari nuk ka balancim të të drejtës. Prandaj, nëse ky zotëri akuzon pa të drejtë, ne e kemi për detyrë t’i kërkojmë atij të japë llogari deri në një për çdo fjalë që nxjerrë nga goja. Ne nuk duhet të pranojmë edhe megafonët serbë nëpër Evropë, vetën pse ne duhet të sillemi si të kulturuar duke duruar marrëzinë. Duke menduar ne se nuk duhet reaguar për efekte kulture, bota po merr si të mirëqena shpifjet. Në raste të tilla nuk ka vlerë as qetësia prej të pafajshmi, as injorimi i shpifjes së neveritshme, ka vlerë e vërteta, për të cilën ne duhet të ndalemi e të mos lëshojmë pe. E vërteta nuk mund të jetë gjithnjë në anën e të fuqishmit. Ajo duhet të jetë me të drejtën dhe të pafajshmin.
Para disa kohësh kam shkëputur nga një shkrim këtë citim: “Nëse do të analizoheshin të gjitha shtrembërimet, shpifjet e botuara, të lexuara, të thëna takime kokë më kokë, sekrete apo publike, do të shihej se kundër nesh Serbia ka nisur një fushatë, që ka efektet e një agresioni. Faktori serb në këtë periudhë e vazhdon luftën kundër shqiptarëve me mjete tjera. Vazhdimi i kësaj politike, të një lufte të ftohtë, dëshmon se ata kanë qëllime të njëmendta armiqësore. Sa jemi të vetëdijshëm për këtë kanosje? Do të thosha me zhgënjim, aspak!”
Prandaj do të thosha se qëndrimet dhe veprimet me vlerësimet individuale të Martyt janë absurde, por të marra seriozisht nga organizatat evropiane dhe segmentet e ndryshme të klaneve proserbe ato bëhen shumë të dëmshme. Çfarë kërkon pra zotëri Marty? Kjo është e pakuptueshme për mua. Nuk arrij të arsyetoj një veprim të tillë, kur kam parasysh një njeri të shkolluar, që pretendon se është funksionar evropian, që flet në emër të Evropës, që pretendon se ka një vizion qytetarie, që ka mundësi të bëjë vepra të mira, por që me deklarimet dhe qëndrimet e shpifjet për të krijuar mostra shqiptare, kur realisht shqiptarët janë bërë viktima deri në ekstrem, nuk mund të gjendet arsyetim tjetër veçse të jetë i paguar i Serbisë, për ta rritur zërin e shpifjeve të saj. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroportit të Prishtinës ‘Adem Jashari’ i shtohen hapësira të reja…