Çfarë mësuam ne nga Cetina

07 shtator 2021 | 15:06

Shkruan: Arben Dashevci

Cetina është kryeqyteti historik i Malit të Zi.

U themelua nga sundimtari i shtetit sllav mesjetar, Zeta Ivan Crnojeviq më 1482, ndryshe nga të gjitha qytetet bregdetare, të themeluara edhe gjatë Perandorisë Romake ose pasardhësve të saj.

Kjo është arsyeja pse Cetina perceptohet si një vend tjetër pas Budvës dhe Kotorrit.

Manastiri i Cetinës

Manastiri i Cetinës është i njohur për reliktet e tij që tërheqin pelegrinë nga e gjithë bota ortodokse dhe jo vetëm.

Është nën administrimin e kishës ortodokse serbe, ndërsa Mali i Zi, pretendon dhe këmbëngulë në kishën autoqefale malazeze.

Ky problem  fetar në atë trevë, ka ekzistuar qysh moti, është ende aktual dhe do të mbetet edhe në të ardhmen.

Kjo është vetëm një hyrje  e shkurtër lidhur me atë çfarë duhet të dimë ne lidhur me këtë qytet dhe na mjafton sa për fillim, sepse fokusi im në këtë shkrim është krejt tjetër dhe ka të bëjë me aspektin e sigurisë dhe vetëm të sigurisë, pa prekur tema apo probleme tjera.

Fokusi im është problemi -protestat në Cetinë dhe tensionet ditëve të fundit atje. -Dhe çfarë mësuam ne si shtet nga këto trazira që nga larg ndoshta u duken si të vogla dhe kaluese në shikim të parë kurse në të vërtetë, janë probleme aq të mëdha dhe të rrezikshme sa që vigjilenca jonë si shtet, duhet te jetë maksimale dhe në fokus të plotë.

Problemet e një shteti të pavarur dhe sovran si në këtë rastin e fundit në Mal të Zi, mbesin probleme goxha serioze e të mëdha, të brendshme të atij shteti.

Problemi në fjalë, është aq i ndjeshëm. Duke qenë fqinjë me Malin e Zi, e që për të dyja vendet, duhet të dimë e të jemi syhapur, sepse rreziku na vie nga Serbia. Çdo gjë qe vie nga Serbia, neve na sjellë destabilitet dhe problem.

Vetëm të përmendim një fakt, ku  priftërinjtë  gjatë ceremonisë së inaugurimit,  kënduan këngën “kur do të kthehemi ne Kosovë”, dhe dihet se për çfarë kthimi të tyre bëhet fjalë!

Kjo neve na intereson, pra cili është  qëllimi i tyre?!

Neve na intereson dhe na intereson shumë edhe deklarata e presidentit Serb ku ai thotë: “Shërbimet tona na lajmërojnë për çdo detaj se çka po ndodhë në Cetinë”. Pra do të thotë, ata qenkan atje, dhe i kanë të gjitha informatat e nevojshme, e thotë ky ish ministër i propagandës në kohën e kasapit të Ballkanit -Milosheviq.

Pra zotëria në fjalë dhe shërbimet e tij, sillen dhe pështillen në një vend tjetër, të pavarur dhe sovran,  anëtarë i NATO-s, si në këtë rast, në Mal të Zi!

Protestat  i pamë, kundërshtimet i pamë, dhe provokimet e anës tjetër i pamë e i dëgjuam, dhe mësuam shumë.

Ne duhet të jemi tepër vigjilent karshi kësaj situate që në pamje të jashtme duket e tejkaluar sikurse ajo thënia ku çdo çudi zgjatë tre ditë e më pastaj, harrohet.

Nuk është kështu. -Dhe nuk do të jetë kështu, sepse qëllimi kryesor i Serbisë në rastin e Malit të zi por edhe shtetit  tonë Kosovës, është destabilizimi, provokimi dhe propaganda.

Kaq mund të bëjë Serbia. -Ajo ëndërron edhe me këngë të kthehet në Kosovë, por kënga mbetet këngë. Le të këndojnë pse jo, nuk kemi asgjë kundër. Ajo është vetëm një këngë dhe mbetet si e tillë, është thjeshtë një ëndërr provokuese, ajo nuk është këngë shpirtërore e fetare, është këngë me domethënie krejt tjetër.

Serbia e di fare mirë që ne kemi kapacitete të plota në aspektin e sigurisë. Ajo për shkak të konsumit të brendshëm puro POLITIK, i injoron kapacitetet tona, por e dinë dhe e kanë mese të qartë, që ne kemi Ushtri dhe Polici, kemi AKI-në tonë dhe kapacitete të plota që të përgjigjemi në çfarëdo sfide që na del përpara dhe të reagojmë si Shtet.

Serbia e di mirë që Mali i Zi është në NATO, e di që edhe NATO-ja  është prezentë në Kosovë, prandaj krejt çka i mbetet Serbisë,  është provokimi dhe destabilizimi i brendshëm, përçarja dhe provokimet me këngën “kur do te kthehemi në Kosovë”

– Në të gjitha shkrimet e mia të mëparshme, kam cekur qartë se Serbia nuk ndalet me provokime dhe as që shihet diku në horizont që do të ndalet.

Neve na takon të jemi vigjilent, e ashtu edhe do të veprojmë. Pavarësisht problemeve që kemi si një shtet i ri,  ne po ecim tutje por me hapa të sigurtë.

Kemi pandeminë që po merr jetë, dhe tashmë jemi në kulmin e saj. -Kemi shumë probleme të mëdha, mirëpo një ditë edhe kjo do të mbaroj falë vaksinimit masiv, me përkujdesje maksimale, shpresojmë se do të zhduket shpejtë!

Siç thash më herët, pandemia një ditë do kaloj, por problemet me Serbinë, nuk  po kalojnë aq lehtë. Ky problem mbetet këtu, është prezent  dhe po ballafaqohemi me të 24/7, ku qëllimi i tyre është që të na shkaktojnë probleme në vazhdimësi.

Luajt tanë, janë vigjilent dhe i përcjellin ngjarjet. Kemi mikun dhe aleatin e përjetshëm SHBA-të, që na përkrahin në çdo aspekt, pra edhe në aspektin  e sigurisë edhe atë shumë bile…

Kosova nuk provokon, por mbrohet. -Dhe kur mbrohet, mbrohet mirë, ku ajo mbrojte shihet  qartë.

Qëndrojmë komod, por jemi vigjilent në maksimum.

Ne si shtet i kemi ndihmuar një herë Malit te Zi, me ato kapacitete që kemi pasur. Ka qenë gjatë tentim grusht-shtetit  atje,  i sponsorizuar nga Serbia dhe  nuk harrohet aq lehtë. Ne, atë kohë, kemi dhënë kontributin tonë si shtet në parandalimin e atij grushteti. Motoja ishte ndihmë për shtetin  mik e  fqinjë në kapjen e komplotistëve, me informata të sakta të shpejta dhe precize.

Kjo dëshmon vigjilencën tonë dhe ajo sa po vjen e rritet, jemi vigjilent dhe të përgatitur në çdo kohë.

Ne po forcohemi dita ditës në aspektin e sigurisë dhe asnjë ditë e vetme nuk po na gjenë si dita paraprake.

Ushtria jonë po forcohet  me hapa shumë të shpejtë, ndihmat nuk kanë të ndalur.

Policinë dhe AKI-në e kemi për lakmi. Janë shembull për rajonin, ndërsa ne,  jemi krenarë me ta.

Na mbetet vigjilenca maksimale dhe kundrejt çdo provokimi, duhet t’i përgjigjemi si rrufeja, shpejtë dhe drejtë, sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran, edhe pse disave nuk ju pëlqen ata duhet të mësohen të jetojnë me këtë realitet. Duhet  të fillojnë e të mendojnë pozitivisht, që do të thotë se duhet ta pranojnë realitetin dhe të na njohin si shtet. -Sa më herët, aq më mirë për të gjithë.

Kosova ka qenë dhe mbetet atdheu ynë i vetëm dhe i shtrenjtë dhe kështu do të jetë deri sa mali të bëhet hi dhe hiri mal përsëri!

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…