
Çfarë na tha James Rubin për akuzat kundër Hashim Thaçit
Një histori e vitit 2011, jo shumë kohë pasi kishte dalë raporti i euro-deputetit Dick Marty – me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami e takuam për t’i marrë disa mendime dhe këshilla, njeriut që kishte mposhtur propagandën serbe në kohën e Luftës së Kosovës
James Rubin do të jetë dëshmitari i parë i thirrur nga Mbrojtja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit në Hagë, shkruan Ruben Avxhiu.
Rubin u bë shumë i njohur për shqiptarët kur si zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe bashkëpunëtor e këshiltar i afërt i Sekretares Madaleine Albright udhëhoqi fushatën e diplomacisë publike amerikane gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Puna e tij kishte rëndësi të madhe. NATO-ja e mundi Serbinë ushtarakisht, por Rubin fitoi betejën më të rëndësishme, atë të opinionit publik, përballë mashtrimeve serbe, propagandës anti-amerikane të vendeve nga Rusia në Kinë, si dhe “pacifistët” e përhershëm në Perëndim që për çdo konflikt ia vënë fajin Amerikës.
Për koinçidencë, James Rubinin e kam intervistuar në kohën kur dolën për herë të parë akuzat e sajuara kundër Thaçit, UÇK-së, Kosovës nëpërmjet raportit famëkeq të eurodeputetit zvicerian Dick Marti.
Rubin ka qenë një lexues dhe mik i hershëm i gazetës “Illyria”, me një miqësi personale me botuesin e saj Vehbi Bajrami.
Kur gazeta “Illyria” festoi 20-vjetorin e saj, Rubin ishte një nga të ftuarit kryesorë të nderit, në mbrëmjen gala në Manhattan, ku edhe u nderua me një dekoratë nga gazeta për punën e tij të madhe në shërbim të Kosovës.
Takimi për ta intervistuar u mbajt në një nga ato shtëpitë e bukura të stilit Townhouse, në zonën e lakmuar e të shtrenjtë njujorkeze, Upper East Side, që është edhe hapësira ku ndodhen të gjitha konsullatat dhe misionet vendeve anëtare të OKB-së.
Ndërtesa e bukur private, me mermerin karakteristik të bardhë dhe kangjellat e zeza ishte vënë në dispozicion Mike Bloomberg agjensisë së lajmeve “Bloomberg News”, e cila për herë të parë po eksperimentonte me një seksion opinionesh dhe editorialesh, në krye të të cilës, ishte vënë James Rubin. Bloomberg ishte vetë në atë kohë kryetar i Bashkisë së Qytetit të New York-ut.
Ishte maji i vitit 2011. Botuesin Vehbi Bajrami kishte biseduar me “Xhemin” si e thërrasin rëndom ata që e njohin, dhe kishte caktuar ditën e intervistës. Shkuam bashkë që në mëngjes. Në çantë kisha përveç diktofonit edhe një aparat fotografik, megjithëse na ishte thënë në mënyrë specifike që nuk do të bëheshin fotografi brenda në mjediseve të agjensisë së lajmeve. Kisha besim se do ta gjenim një moment dhe vend për të fiksuar një pozë për kujtimet tona, edhe nëse nuk do të botohej.
James Rubin njihet edhe si bashkëshorti i gazetares së shquar Christiane Amanpour e cila u shqua në raportimet dhe komentet e saj për ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë. Në fund të viteve 1990, ishin kthyer në një nga çiftet më të fuqishme në Washington, ndonëse në anë të ndryshme të “barrikadës” së betejës informative. Ajo nga ana e medias, ai nga ana e Administratës Clinton.
Gjatë bisedës së ngrohtë plot kujtime personale, përpara intervistës, Vehbiu u përpoq ta bindte që të vinin si çift në festën e gazetës “Illyria”, por në fund nuk ndodhi. Më shkon mendja se, Christiane është shumë më e njohur dhe mund të ketë menduar se Xhemi meritonte që e gjithë vëmendja të përqendrohej te ai.
Mes miqve që ka nderuar Kosova, James Rubin është një nga ata që ka mbetur pak në harresë. Botuesi Bajrami ishte i vendosur që t’i tregonte se shqiptarët nuk e kishin harruar. Në fakt, kur u ngjitën të dy në skenë, në sallën e madhe me gati 1,000 pjesëmarrës – mbi kapacitetin që lejonin rregullat, por edhe kjo një histori tjetër – që të gjithë u çuan në këmbë duke e duartrokitur e thirrur emrin e tij. Ishte një nga momentet kulminante të Darkës, i fiksuar edhe në fotografinë më lart, të cilën e botuam në faqen e parë.