Çfarë thotë ligji: A mund ta tërheqë SHBA-në nga NATO, Donald Trump?
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO kanë rikthyer debatin mbi kompetencat e tij dhe kufizimet ligjore.
Që nga nisja e luftës me Iranin, Trump ka kritikuar vazhdimisht aleancën ushtarake, duke paralajmëruar se mund të shqyrtojë largimin e SHBA-së nga organizata e krijuar në vitin 1949 për të garantuar sigurinë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Megjithatë, një ligj i miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 2023 përcakton se presidenti nuk mund të tërheqë SHBA-në nga NATO pa miratimin e Senatit, ku kërkohet mbështetja e dy të tretave të senatorëve, ose pa një akt të veçantë nga Kongresi.
Senatori republikan Thom Tillis ka deklaruar se një tërheqje e tillë nuk është e mundur pa përfshirjen e Kongresit, duke theksuar se presidenti mund të ndikojë në funksionimin e aleancës, por jo ta braktisë atë në mënyrë të njëanshme.
Nga ana tjetër, një opinion ligjor i vitit 2020 nga Departamenti i Drejtësisë sugjeron se presidenti ka autoritet të gjerë mbi traktatet ndërkombëtare, çka lë hapësirë për interpretime të ndryshme.
Sipas ekspertëve dhe analizave të Shërbimit Kërkimor të Kongresit, një vendim i njëanshëm për t’u larguar nga NATO mund të përfundojë në Gjykatë, duke e bërë çështjen jo vetëm politike, por edhe juridike.



