CIA: Nuk mund të trajtohet “me lehtësi” kërcënimi rus për armët bërthamore

15 prill 2022 | 11:52

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, ka thënë se kërcënimi i Rusisë se potencialisht mund të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, nuk mund të merret me lehtësi, mirëpo agjencia nuk ka parë shumë të dhëna që përforcojnë këtë shqetësim.

“Duke marrë parasysh dëshpërimin potencial të presidentit (rus, Vladimir) Putin dhe udhëheqësisë ruse, duke marrë parasysh zmbrapsjet që i kanë përjetuar, askush prej nesh nuk mund ta trajtojë me lehtësi kërcënimin që vjen nga mundësia e përdorimit të armëve bërthamore”, ka thënë Burns gjatë një fjalimi më 14 prill.

Burns ka folur për “dëshpërimin potencial” dhe zmbrapsjet të cilat i ka përjetuar Putini, forcat e të cilit janë përballur me humbje të mëdha dhe janë detyruar të largohen nga disa pjesë në veri të Ukrainës, pasi kanë dështuar që të marrin kontrollin e Kievit, raporton “Rel”.

Kremlini ka thënë se e ka vënë forcën bërthamore në gatishmëri të lartë, pasi ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë parë “shumë të dhëna praktike” për zhvillime që mund të rrisin shqetësimet, ka thënë Burns duke folur para studentëve në një universiteti në Xhorxhia.

“Ne jemi shumë të shqetësuar. Unë e di se presidenti (amerikan, Joe) Biden është shumë i shqetësuar për shmangie të luftës së tretë botërore, për shmangie të situatës kur konflikti bërthamor bëhet i mundur”, ka thënë mes tjerash Burns.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 100 palestinezë janë plagosur si pasojë e përleshjeve me…