Çitaku: PDK-ja ka kërkuar marrëveshje parimore, jo pazare për zgjedhjen e presidentit
Sekretarja e PDK, Vlora Çitaku, ka komentuar dështimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke kritikuar, sipas saj, keqinterpretimet e kryeministrit Albin Kurti për qëndrimin e partisë së saj.
Në Debat Plus në TV Dukagjini, Çitaku tha se PDK-ja nuk ka kërkuar asnjë marrëveshje blanko me Vetëvendosjen, por një marrëveshje parimore për të dalë nga cikli i krizave politike.
“Zoti kurti bëri një keqinterpretim të qëllimshëm të çështjes në fjalë. PDK-ja nuk ka kërkuar marrëveshje blanko. PDK-ja ka kërkuar marrëveshje parimore. Ne nuk kemi shkuar në tryezë për të bërë pazare, as nuk kemi shkuar në tryezë për inate apo për të përmbushur ego personale. Në tryezë kemi shkuar siç kemi shkuar gjithnjë. Për tu munduar që të japim një zgjidhje. Për të dal nga ky cikël i pafundshëm i krizave, në të cilat jemi futur tash e gati 2 vite. Kryetari Hamza ia ka thënë Kurti që ne jemi të gatshëm të ofrojmë kandidat, por do të ishte shumë – e kemi saktësuar jo ekskluzivisht emra partiak.
Mirëpo do të ishte shumë e pandershme të flasim për emër të përveçshëm, tua lakojmë emrat në tryeza e në publik, pa e pasur një dakordim që kandidatura do të vije nga ana e PDK-së. Ky do të ishte hapi i parë. E më pas do të uleshim që të diskutojmë për kriteret, për cilësitë, për specifikat e kandidaturave në fjalë. Në këtë situate jemi për shkak të vullnetit politik të shumicës”, ka thënë Çitaku.



