Çitaku për liderët e UÇK-së: Po mbahet peng një pjesë e historisë sonë
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në Hagë po mbahet peng një pjesë e historisë së Kosovës.
Këto komente, ajo i ka bërë në “Facebook” në 5-vjetorin e arrestimit të liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Në Hagë, ata nuk janë individë. Nuk janë vetëm emra. Atje po mbahet peng një pjesë e historisë sonë. Atje po mbahet peng lufta jonë për liri, për dinjitet njerëzor e kombëtar. Atje, një epokë e tërë është vënë para gjyqit. Por si gjithmonë, ata po qëndrojnë krenarë, të qetë, të pathyeshëm”.
“Ashtu si dikur në male, sot në qeli. Me të njëjtën besë, me të njëjtën dashuri për atdheun. Ata nuk po mbrojnë veten, po mbrojnë historinë tonë. Po mbrojnë të vërtetën, gjakun, dhe sakrificën e një populli që nuk u gjunjëzua kurrë. Pa mllef. Pa inate. Pa hatermbetje. Vetëm me dinjitet, siç u takon atyre që i dhanë kuptim fjalës liri. Shihemi shpejt në Kosovë, luftëtarë. Sepse e drejta mund të vonojë, por nuk humb kurrë rrugën”, ka shkruar Çitaku.



