Çitaku pret në takim ministrin Hasani: Raportet Kosovë-Shqipëri janë më të thella se kokëçarjet e shkaktuara nga liderët e përkohshëm

16 janar 2024 | 16:49

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, bashkë me sekretarin e përgjithshëm e kësaj partie, Bajrush Xhemaili, nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe deputetet Eliza Hoxha e Ariana Musliu – Shoshi, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe ekipin e tij, me ç’rast kanë diskutuar për gjendjen aktuale politike në vend dhe fuqizimin e marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy shteteve tona.

Duke e falënderuar ministrin Hasani për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për Kosovën, nënkryetarja Çitaku ka theksuar se PDK-ja si përherë do të vazhdojë të angazhohet në kultivimin e raporteve të mirëfillta vëllazërore me Shqipërinë.

“Shqipëria nuk është një fqinj i rëndomtë i Kosovës, dhe raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë më të thella e shumëfish më të fuqishme se kokëçarjet e shkaktuara nga liderët e përkohshëm”, ka thënë ajo.

Ndërsa ministri Hasani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës ShBA -Adriatike përgjatë vitit 2024.

Ai është zotuar se Shqipëria do të vazhdojë mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare.

“Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura”, ka thënë Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor…