City e Liverpool në garë për yllin e Bournemouthit, duhen 65 milionë për transferimin e tij
Afati kalimtar i janarit pritet të sjellë lëvizje të mëdha te klubet e Ligës Premier, ndërsa në qendër të vëmendjes ka dalë Antoine Semenyo, sulmuesi eksploziv i Bournemouthit që ka tërhequr interesimin e gjigantëve anglezë.
Liverpooli, Manchester City dhe Tottenhami janë futur në garë për transferimin e 24-vjeçarit, me raportimet që i vendosin The Reds dhe kampionët e Anglisë si favoritë në prag të afatit të janarit.
Klauzola e lirimit të Semenyos, e cila është 65 milionë funte, do të jetë aktive vetëm gjatë dy javëve të para të janarit, një dritare shumë e shkurtër që mund të detyrojë klubet të veprojnë me shpejtësi.
Sipas Football Insider, Liverpool dhe City janë më të gatshme të aktivizojnë klauzolën, ndërsa Manchester United, i interesuar më herët, mbetet prapa në garë.
Për skuadrën e Pep Guardiolës, Semenyo shihet si pjesë e një transformimi të profilit të anësorit – nga lojtarë që kërkojnë shumë posedim si Savinho e Jeremy Doku, drejt sulmuesve më të plotë dhe me më shumë zgjidhje individuale.
Ndërkombëtari i Ganës konsiderohet një lojtar modern: sulmon hapësirat nga krahët, hyn në mes për të thyer linjat mbrojtëse dhe është një kërcënim i vazhdueshëm drejt portës. Andoni Iraola e ka shfrytëzuar maksimalisht këtë versatilitet te Bournemouth, ku Semenyo po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me 9 gola të përfshirë në 13 paraqitje.
Kjo formë e lartë nuk është surprizë, duke pasur parasysh sezonin e kaluar 2024/25, ku ai regjistroi 11 gola dhe 6 asistime në 37 paraqitje në Ligën Premier.
Nëse asnjë nga klubet nuk aktivizon klauzolën në janar, një transferim i madh drejt verës duket pothuajse i pashmangshëm. Semenyo tashmë shihet si një nga yjet e ardhshëm të kampionatit anglez.




