
Çlirimi i Jabllanicës është një nga aktet simbolike të kësaj lufte fisnike
Nga Ethem Çeku
Nderim për UÇK-në dhe dëshmorët – Si shenjë respekti për betejën e Jabllanicës !Trashëgimia e luftës çlirimtare në frymën e bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane të lirisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim vullnetar, i ndërtuar mbi ndërgjegjen kombëtare dhe mbi idealin për liri, që buronte thellë nga gjiri i një populli të shtypur, por jo të nënshtruar. Ajo lindi si nevojë historike për t’i dhënë fund një okupimi të gjatë, që për dekada kishte mohuar të drejtën themelore të shqiptarëve për të jetuar të lirë në vendin e vet. UÇK-ja nuk ishte një forcë e një krahine apo e një grupi politik, por një përpjekje gjithëkombëtare, ku luftëtarët u bashkuan nga të gjitha trevat shqiptare – me zemrën te Kosova dhe sytë drejt bashkimit shpirtëror e kombëtar.
Ky organizim i lirë, u frymëzua nga parimet më të larta të lirisë, drejtësisë dhe vetëvendosjes – parime që qëndrojnë në zemër të frymës evropiane. Lufta e UÇK-së ishte pjesë e përpjekjes së popujve të kontinentit për t’u shkëputur nga dhuna, tirania dhe pushtimet – një thirrje për përfshirje në Evropën e vlerave, ku çdo popull gëzon të drejtën e barazisë, sovranitetit dhe vetëpërcaktimit.
Në këtë kontekst të lartë moral dhe kombëtar, figura e Ramush Haradinajt mishëronte filozofinë e një lufte çlirimtare që i qëndronte larg ngjyrimeve politike, krahinore apo përfitimeve personale. Ai udhëhoqi me shembull, duke i dhënë luftës fytyrën e dinjitetit dhe të bashkimit kombëtar, duke e vendosur Dukagjinin si shembull të qëndresës dhe të ndërgjegjes për liri. Për të, liria e Kosovës nuk ishte pronë e askujt, por e drejtë e patjetërsueshme e të gjithë shqiptarëve, dhe e ardhmja e saj – vetëm në familjen e popujve të lirë të Evropës.
Çlirimi i Jabllanicës është një nga aktet simbolike të kësaj lufte fisnike – një përpjekje që bashkoi gjakun e bijve më të mirë të kombit për një të ardhme më të drejtë, më të lirë dhe më europiane. Sakrifica sublime e dëshmorëve nuk ishte vetëm për të dëbuar pushtuesin, por për të ndërtuar një shoqëri të denjë për ta – të hapur, demokratike dhe të përkushtuar ndaj lirisë, ashtu siç e kishin ëndërruar ata.
Respekti për UÇK-në dhe për dëshmorët e saj është, në thelb, një vazhdimësi e rrugës sonë drejt vlerave të përbashkëta evropiane. Është përkushtim për të jetuar në paqe, drejtësi dhe liri – jo vetëm si popull i lirë, por si pjesë dinjitoze e Evropës që respekton dhe nderon gjakun që u derdh për lirinë.