Çmimet e importit më të ulëta në tremujorin e tretë të këtij viti sesa në 2024
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP) për tremujorin e tretë (TM3) 2025, viti bazë 2010=100.
Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë patirënie për (-1,9%) në TM3 2025, krahasuar me TM2 2025. Ndërkaq, krahasuar me TM3 2024, Indeksi pati rënie prej (-0,2%).
Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: vajrat ushqyese (6,2%); këpucët (3,9%); druri dhe artikujt e tij (1,4%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (0,6%) dhe mjetet e transportit (0,3%).
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt e saj (-24,5%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (-8,2%); produktet minerale (-6,4%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-5,6%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-3,4%); letra dhe artikujt e saj (-2,6%), etj.
Çmimet e Importit në Kosovë patën rënie në një mesatare prej (-0,2%) ndërmjet TM3 2025 dhe TM3 2024.
Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: shtazët e gjalla, dhe produktet e shtazëve (8,0%); këpucët (3,9%); druri dhe artikujt prej tij (3,4%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (2,6%); produktet bimore (2,4%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (1,7%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (1,4%); dhe mjetet e transportit (0,5%).
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve: lëkura dhe artikujt prej saj (-6,0%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-4,7%); plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre (-4,7%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-3,9%); letra dhe artikujt prej saj (-3,5%), etj.



