Prodhimi vendor, shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës, por problem mbetet çmimi i energjisë elektrike
Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, së bashku me ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, vizituan të mërkurën fabrikën për përpunimin e çelikut “Euro Metal” në Ferizaj, me pronar Njazi Musliu.
Vizita u realizua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Bizneseve Kosovare 2025.
Gjatë vizitës, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar rëndësinë strategjike të prodhimit vendor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. “Prodhimi vendor është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Jemi këtu për të falënderuar kompaninë ‘Euro Metal’ e cila, me mbi 70% të prodhimit të eksportuar, po kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit”, ka thënë Shahini.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se përkrahja e prodhuesve vendorë duhet të jetë prioritet i secilës qeveri.
“Mbështetja e prodhimit vendor do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme. Bizneset prodhuese janë motor i rritjes ekonomike dhe punësimit në vend”, u shpreh Hoti.
Pronar i kompanisë “Euro Metal”, Njazi Musliu, ka falënderuar delegacionin për vizitën dhe vëmendjen e dhënë sfidave të sektorit prodhues.
Ai ka theksuar se kostoja e lartë e energjisë elektrike mbetet një nga pengesat kryesore për konkurrueshmërinë e bizneseve. “Çmimi i energjisë elektrike është rritur mbi 200% dhe kjo na ka nxjerrë jashtë konkurrencës reale në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Musliu.
Delegacioni i AKB-së u zotua se do të adresojë shqetësimet dhe rekomandimet e prodhuesve brenda politikave ekonomike dhe platformave të bashkëpunimit me bizneset.



